Rusia konfirmon përdorimin e raketës hipersonike! Oreshnik udhëton me mbi 10 herë sa shpejtësia e zërit

Rusia ka konfirmuar përdorimin e raketës hipersonike Oreshnik në sulmin e së shtunës mbrëma në Kiev të Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Kyiv ishte objektivi kryesor, por edhe zona të tjera u goditën, ndërsa pati rreth 100 të plagosur dhe 4 viktima. Dhjetëra ndërtesa banimi, një shkollë, një teatër opere dhe një muze u dëmtuan.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se në sulme u përdor raketa hipersonike Oreshnik, të cilat i përshkroi si përgjigje ndaj “sulmeve të Ukrainës ndaj infrastrukturës civile”.

Raportohet se raketa udhëton me mbi 10 herë sa shpejtësia e zërit, është e vështirë të shkatërrohet dhe dihet se mund të furnizohet me mbushje të zakonshme si dhe bërthamore.

E hëna nisi me një sulm raketash në rajonin rus të Belgorod Oblast që kufizohet me Ukrainën duke sjellë ndërprerjen me energji elektrike dhe ujë.

Rajoni rus i Yaroslavl Oblast, në verilindje të Moskës, gjithashtu u shënjestrua me dronë, tha guvernatori Mikhail Yevrayev në Telegram.

Presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ai akuzoi Kievin për goditjen e një konvikti studentor në qytetin Starobilsk të premten, ku zyrtarët rusë thanë se u vranë 21 persona.

Ushtria ukrainase tha se forcat e saj kryen një sulm në Starobilsk, në Ukrainën lindore të pushtuar nga Rusia, gjatë natës së së premtes, por këmbënguli se kishte goditur një njësi elitare ushtarake ruse të dronëve.

Zelensky, i cili të dielën vizitoi disa ndërtesa të dëmtuara në Kyev, tha se Rusia kishte lëshuar raketën Oreshnik në Bila Tserkva në rajonin e Kievit. Më vonë, zyra presidenciale e Ukrainës tha se vijonte puna për të përcaktuar saktësisht se çfarë ishte përdorur.

Kjo është hera e tretë që Rusia përdor raketën Oreshnik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *