Kallas: Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas ka thënë se tensionet në Ballkan po rriten.

Ajo këto komente i bëri para takimit të Këshillit për Punë të Jashtme që po mbahet në Luksemburg.

“Kemi shumë pika në agjendë. Do të fillojmë me situatën në Ukrainë. Pastaj kemi Ballkanin Perëndimor. Ne patëm një darkë shumë të mirë dje duke biseduar dhe diskutuar me miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor. Ne shohim se tensionet po rriten dhe ne patjetër duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit dhe kjo është diçka e prekshme dhe vërtetë na duhen histori suksesi”,tha Kallas.

Kallas nuk përmendi shtetet, që sipas saj po rriten tensionet. Ndryshe Kallas ditë më parë qëndroi për vizitë në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Kallas tha se BE-ja nuk do të tolerojë kërcënime ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të Bosnjës e Hercegovinës.

Bosnja e Hercegovina është në mes të krizës së saj më të madhe politike në dekada, pasi udhëheqësi nacionalist serb Millorad Dodik u dënua në shkurt me një vit burg dhe u ndalua për gjashtë vjet nga politika për shkak të kundërshtimit të vendimeve nga i dërguari ndërkombëtar.

Në përgjigje, Dodik, i cili është president i Republikës Sërpska, kishte iniciuar ligje që ndalonin gjyqësorin dhe policinë shtetërore nga rajoni.

Kjo është përshkallëzuar në një ngërç ligjor dhe politik duke vënë Dodik dhe aleatët e tij Rusinë dhe Serbinë kundër SHBA-së dhe BE-së, dhe shihet si një nga kërcënimet më të mëdha për paqen në Ballkan që nga konfliktet e viteve të 90-ta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *