Nga Avni Halimi
Shpesh herë në diskursin publik, termat “artist”, “intelektual” dhe “i kulturuar” përdoren thuajse si sinonime, sikur të përfaqësonin të njëjtën figurë, të njëjtin rol, të njëjtën ndërgjegje. Në fakt, bëhet fjalë për tre dimensione të ndryshme të përfshirjes në jetën shpirtërore të një shoqërie. Dhe më shumë se një lojë fjalësh, ky dallim është thelbësor për të kuptuar përgjegjësinë që mban secili në raport me kulturën dhe qytetërinë.
Artisti nuk është domosdoshmërisht një dijetar i kulturës. Ai është, para së gjithash, një përjetues i realitetit dhe një transformues i ndjeshmërisë. Arti vjen nga intuita, nga shqetësimi estetik, nga një tension i brendshëm që kërkon shprehje. Një piktor mund të jetë mjeshtër në nuancat e dritës, një poet mund të jetë i magjepsur nga ritmi i një fjale – por kjo nuk e bën automatikisht atë njohës të historisë së ideve, të sistemeve filozofike, të strukturave të thella kulturore.
Për të qenë artist i madh, nuk është kusht të jesh teoricien i kulturës. Por nëse arti i tij do të ketë ndikim përtej momentit estetik, atëherë ai duhet të zhvillojë një vetëdije që shkon përtej bukurisë: duhet të dijë ku po flet, për kë dhe çfarë po përfaqëson. Një artist që nuk i njeh tensionet kulturore të kohës së vet, shpesh rrezikon të bëhet dekor i një bote që nuk kupton.
Dallimi mes artistit dhe intelektualit është delikat, por real. Intelektuali i angazhuar është ai që jo vetëm që kupton kodet e një kulture, por i vë ato në lëvizje për të sfiduar, analizuar dhe ndriçuar realitetin. Ai është lexues i kohës së vet, por edhe kritik i saj. Ndërsa artisti mund të jetë intuitiv, shpesh vetjak, i tërhequr në botën e shprehjes, intelektuali është zakonisht analitik, publik dhe shpesh i zëshëm në debatet shoqërore.
Pa dyshim, ka raste kur një artist që është edhe intelektual madje i paarritshëm si, Borhesi, Markezi, Kadare, Kundera, Albert Camus etj.). Por ka edhe raste kur ndarja është e qartë: një artist mund të mbetet në sferën e formës, ndërsa intelektuali vepron në sferën e përmbajtjes shoqërore.
Një tjetër ndarje që shpesh ngatërrohet është ajo midis kulturës dhe qytetarisë. Të jesh i kulturuar nënkupton njohje të thellë me artin, letërsinë, historinë, filozofinë – është një çështje përmbajtjeje dhe reflektimi. Të jesh i qytetëruar, ndërkaq, është më shumë një çështje sjelljeje dhe ndërveprimi – respekt ndaj tjetrit, normave, ligjit, bashkëjetesës.
Një njeri mund të jetë qytetar shembullor, por me njohuri të kufizuara kulturore. Po ashtu, mund të ketë njerëz me një bibliotekë të tërë në mendje, por të paaftë për ta zbatuar kulturën në jetën e përditshme si ndjeshmëri dhe përgjegjësi etike.
Sot, më shumë se kurrë, nevojiten figura që i bashkojnë këto dimensione – artistë që janë të vetëdijshëm për kontekstin kulturor dhe etik ku veprojnë; intelektualë që nuk mbeten vetëm në sferën teorike, por që kontribuojnë në edukimin publik; dhe qytetarë që nuk janë vetëm konsumatorë të kulturës, por edhe bartës të saj me sjellje dhe qëndrim.
Në një shoqëri që përballet me shthurje kulturore, me banalizim të artit, me reduktim të intelektualit në komentator të rrjeteve sociale, këto ndarje nuk janë më akademike – ato janë thelbësore për të kuptuar si ndërtohet, ose shkatërrohet, një identitet kolektiv.
Në vend të “vipave” që dominojnë hapësirën kulturore pa thellësi, na duhet një figurë e re publike: krijuesi që lexon botën, intelektuali që guxon, qytetari që vepron me ndjeshmëri.
Në këtë udhëkryq të kohës sonë, duhet të mësojmë të dallojmë, që të dimë kë të ndjekim, çfarë të vlerësojmë dhe mbi kë ta ndërtojmë të ardhmen tonë kulturore.