“Hyqymeti” thyen parimet e Shaqir Fetahut? Deri dje i afërt me BDI, sot i “fyfyron” VLEN-it!

Shkup, 20 gusht – Për afërsinë e kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir Fetahu, me ish pushtetin është folur dhe është shkruar gjerë e gjatë. Aq shumë është folur dhe shkruar, saqë gazetarët e rinj shpeshherë filluan të ngatërrojnë shkurtesën BFI me shkurtesën e një ish partie politike në pushtet, konkretisht BDI-së.
Shumë Iftare e Syfire të përbashkëta para syve të opinionit, ndoshta edhe më shumë larg syve të opinionit, flitej se forconin marrëdhëniet BFI-politikë, me çka dëmtohej imazhi i këtij institucioni fetar.

Pushteti u ndërrua, por Shaqir Fetahut si duket nuk i shkohet në “opozitë”. Dikur akuzohej se më shumë po lutet për të mbledhur vota për BDI-në, se sa për diçka tjetër.

Konkretisht, në nëntor të vitit 2021, pak pasi u mbajtën zgjedhjet lokale, kryetari i Gostivarit, Arben Taravari qartë e patë përmendur përzierjen e Fetahut në politikë, diçka e palejueshme për bashkësitë fetare.

Pasi paraprakisht pat akuzuar për përfshirje dhe ndikim mbi votuesit kundër tij, Taravari poashtu pat deklaruar se reisi në emër të Zotit ka bërë thirrje që të votohet BDI, Ali Ahmeti.

“Ka telefonata ku ka bërë thirrje që ju, për hir të Zotit, për hir të Allahut ju duhet të përkrahni BDI, Ali Ahmetin”, deklaroi në atë kohë Taravari.

Tash kohët kanë ndryshuar, bashkë me pushtetin. Kemi koalicionin VLEN në pushtet, kurse partia për të cilën Reisi përbehej në “Zot e Allah” që t’i jepet vota, tani është në opozitë. është ndërruar pushteti, është ndërruar edhe opozita, por problemi si duket është se Shaqir Fetahut nuk i shkohet në “opozitë”. Ai me grupin e tij të njerëzve të afërt sipas gjitha gjasave vazhdojnë të shpresojnë se edhe më tej do të jenë në “pushtet”.

Njerëz nga BFI thonë se kjo dëshirë për të mbetur “hyqymet”, ia ka thyer parimet Shaqir Fetahut. Jo vetëm parimet, por edhe afërsinë e përqafimet tani mundohet t’i ndajë me pushtetin e ri, respektivisht me VLEN-in. Athua qenka dashur të ndryshojë pushteti që Reisi ynë i nderuar të shohë se se shumë po vlej-ka VLEN-i dhe partitë që e përbëjnë këtë koalicion? Si nuk e vërejti vlerën e opozitës deri dje, por punonte për ish pushtetin. Mos ndoshta kryetari i BFI-së po kapet për fijen e kashtës, vetëm e vetëm të mbetet në kreun e këtij institucioni? Kush ka shpëtuar deri sot duke u kapur për fijen e kashtës? Nëse ka udhëhequr me dinjitet institucionin, nuk a nevojë t’i vardiset pushtetit të ri që të mbetet në kreun e BFI-së.

Le të dalë dhe t’i shpalosë rezultatet që ka arritur dhe puna zgjidhet shumë lehtë. Çështja është se ndoshta mungojnë rezultate? Zhurnal, duke u bazuar në rrëfimet e të punësuarave në BFI, në vazhdimësi ka shkruar për mungesë rezultatesh në punën e Shaqir Fetahut, e madje edhe për raste që kufizohen me skandal në këtë institucion, gjatë drejtimit të tij.

Prandaj do të ishte tejet qesharake, jo vetëm nga kryetari i BFI-së, por edhe nga çdokush tjetër, të besohet se duke i bë lajka pushtetit të ri, do t’i falen “gjynahet” që mund t’i ketë bë nga e kaluara.

Përgjegjësia do të vijë, me siguri nuk do të zgjasë shumë. Koha po troket, kurse fjala popullore thotë: “Tik-tak, tik-tak, nuk zgjat shumë, veç edhe pak…”./ZHURNAL/20.08.2024/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *