Reagim nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Batalionit IV, Brigada 112 “Mujdin Aliu”
Ne, veteranët e Batalionit IV të Brigadës 112 “Mujdin Aliu”, shprehim indinjatën dhe shqetësimin tonë të thellë lidhur me storjen e publikuar nga z. Nevri Ademi, i cili vetëquhet gazetar.
Gazetaria e mirëfilltë kërkon profesionalizëm, paanshmëri dhe hulumtim të thelluar të fakteve, për të informuar opinionin publik në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Për fat të keq, storja në fjalë ka pasqyruar vetëm njërën anë të ngjarjes, duke hedhur akuza të pabazuara ndaj shokut tonë të luftës, z. Hasan Asani, i cili që nga viti 2004 ka qenë në krye të institucionit fetar për të cilin flitet.
E konsiderojmë të papranueshme që një storje të përdoret për të ushtruar shantazh publik dhe për të dëmtuar integritetin e një personi që, për vite me radhë, ka shërbyer me dinjitet në shërbim të komunitetit. Madje, edhe nga materialet që vetë gazetari ka regjistruar, nuk dëshmohet asnjë sjellje kërcënuese apo arrogante nga z. Asani, i cili ka kërkuar vetëm respektimin e procedurave ligjore dhe fetare duke iu drejtuar institucioneve kompetente.
I bëjmë thirrje z. Nevri Ademi që të distancohet nga këto sulme të pabazuara ndaj shokut tonë dhe të reflektojë mbi rolin e tij si informues publik, me qëllim që të mos cenojë më tej dinjitetin dhe figurën e atyre që kanë dhënë kontribut të madh për vendin dhe shoqërinë tonë. Veprimet e tilla kanë prekur thellë jo vetëm z. Hasan Asani, por edhe të gjithë ne, shokët e tij të armës, që mbetemi krenarë për bashkëluftëtarin tonë.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Batalionit IV, Brigada 112 “Mujdin Aliu”
