SHBA-ja dhe Izraeli godasin Iranin, Teherani kundërpërgjigjet

Situata e sigurisë në Lindjen e Mesme është përkeqësuar ndjeshëm pas sulmeve ajrore të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit. Trump e cilësoi operacionin si një ndërhyrje të gjerë ushtarake në vazhdim, duke u bërë thirrje autoriteteve iraniane të dorëzojnë armët.

Sulmet fillestare u konfirmuan më herët nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili deklaroi se Izraeli kishte ndërmarrë një “sulm parandalues”.

Shpërthime të fuqishme u raportuan në kryeqytetin Teheran dhe në disa qytete të tjera të vendit.

Sipas burimeve iraniane, janë regjistruar shpërthime edhe në Isfahan, Qom, Karaj dhe Kermanshah, ndërsa bilanci paraprak flet për dhjetëra viktima. Hapësira ajrore e Iranit është mbyllur, ndërsa autoritetet kanë vendosur masa emergjente.

Trump, përmes një mesazhi publik, konfirmoi drejtpërdrejt përfshirjen e SHBA-së, duke theksuar se synimi kryesor është parandalimi i pajisjes së Iranit me armë bërthamore dhe mbrojtja e interesave amerikane. Ai u bëri thirrje civilëve iranianë të qëndrojnë në strehimore.

Edhe kryeministri izraelit, i akuzuari nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte, Netanyahu, iu drejtua popullit iranian me thirrje për ndryshim politik, duke deklaruar se veprimet ushtarake synojnë krijimin e kushteve për një Iran “të lirë dhe paqësor”. Izraeli shpalli gjithashtu gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin.

Nga ana tjetër, Irani reagoi me lëshime raketash drejt Izraelit. Ushtria izraelite njoftoi se po punon për interceptimin e kërcënimeve ajrore, ndërsa shpërthime u dëgjuan në qytetin e Haifa.

Tensionet u përhapën edhe në rajon. Forcat amerikane në Bahrein u raportuan si objektiv i sulmeve raketore, ndërsa sirena emergjente u aktivizuan në disa shtete të Gjirit. Në Katar, autoritetet thanë se kishin neutralizuar sulme që synonin territorin e vendit, ku ndodhet baza ushtarake amerikane Al Udeid.

Fluturimet në pothuajse gjithë Lindjen e Mesme janë pezulluar, ndërsa mediat në Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan për një viktimë në Abu Dhabi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *