Zelensky i drejtohet Trumpit: Ushtroni më shumë presion mbi Putinin, jo mbi mua

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i është drejtuar presidentit amerikan, Donald Trump, duke kërkuar të ushtrojë më shumë presion ndaj Vladimir Putin dhe jo ndaj Ukrainës për të pranuar një armëpushim, pas më shumë se katër vjetësh konflikti. Në një intervistë ekskluzive për POLITICO dhe Welt, Zelensky tha se populli i tij është “i lodhur”, por morali mbetet i lartë dhe nuk janë të gatshëm të pranojnë ultimatumet ruse për dorëzimin e territoreve të mëdha në lindje të vendit.

Ai gjithashtu u bëri thirrje liderëve europianë të krijojnë një “Plan B” për të siguruar financim afatgjatë për Ukrainën dhe për të kapërcyer atë që e quajti “shantazh” nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili ka bllokuar një hua prej 90 miliardë eurosh të premtuar nga BE-ja. Sipas raportimeve të POLITICO, disa vende të Baltikut dhe Skandinavisë planifikojnë të sigurojnë mjaft fonde për Ukrainën gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, pavarësisht qëndrimit të Orbán.

Zelensky theksoi se ndikimi i Trump mbetet i rëndësishëm për negociatat paqësore: “Ne kemi nevojë për negociata. I mbështesim,” tha ai. “Ne nuk i besojmë Rusisë, por besoj se amerikanët dëshirojnë ta përfundojnë këtë luftë. Shpresoj që do të na ndihmojnë, por kemi nevojë për më shumë presion ndaj Rusisë, jo ndaj nesh.”

Ai shtoi se garancitë e sigurisë që mund të ofrojnë SHBA-të do të kërkojnë miratimin e parlamenteve kombëtare dhe të Kongresit amerikan, për t’u siguruar që ato nuk mund të hiqen nga qeveritë e ardhshme. Zelensky përmendi gjithashtu bashkëpunimin me SHBA-të në Lindjen e Mesme, duke dërguar ekipe me dronë për të ndihmuar aleatët amerikanë dhe duke shpresuar të sigurojë raketa PAC-3 për sistemet Patriot të mbrojtjes ajrore.

Përveç sfidave në fushën ndërkombëtare, Zelensky përballet edhe me probleme brenda Bashkimit Evropian, për shkak të qëndrimit të Orbán. “Është problemi i Orbán, jo i tubacionit. Ai është mik dhe partner strategjik i Rusisë dhe aleat i Putinit,” tha Zelensky. Ai kritikoi bllokimin e fondeve, armëve dhe kundërshtimin ndaj anëtarësimit të Ukrainës në BE nga Hungaria.

Në fund, Zelensky u shpreh se mbështetja europiane është jetike: “Ne dhe Evropa, të gjithë kemi nevojë për këtë Plan B. Partnerët tanë europianë dhe miqtë e vërtetë e dinë se mbrojmë jo vetëm vlerat ukrainase, por lirinë e të gjithë Evropës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *