Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u ka kërkuar partive politike që të dorëzojnë propozimet e tyre për anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Lajmin e ka konfirmuar për RTKlive këshilltari për media i Presidentes.
Sipas Kupinës, presidentja Osmani ua ka dërguar një shkresë zyrtare grupeve parlamentare të regjistruara në Kuvendin e Kosovës, duke i ftuar që brenda afateve të përcaktuara ligjore të dërgojnë emrat e propozuar në Presidencë.
Kjo iniciativë vjen në kuadër të përmbushjes së detyrimeve institucionale për përbërjen e re të KQZ-së, organ i rëndësishëm në administrimin dhe mbikëqyrjen e proceseve zgjedhore në vend.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor dhe në parim fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend. Ky fillim i mandatit nënkupton përfundimin e mandatit paraprak.
Gjithashtu, në ligj specifikohet se “Presidenti i Republikës së Kosovës, bazuar në rezultatet që kanë dalë nga zgjedhjet e përgjithshme, u kërkon grupeve parlamentare dhe subjekteve politike, jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, që të propozojnë me shkrim kandidatët për anëtarë të KQZ-së”.
Tutje bëhet e ditur se “grupi parlamentare/subjektet politike, brenda afatit prej shtatë (7) ditësh, i dërgojnë propozimet e tyre dhe emërimi nga Presidenti bëhet brenda pesë (5) ditësh nga dërgimi i propozimeve”.