Senatori amerikan: Ata nuk kanë idenë se çfarë po bëjnë

Natanyahu ka dashur ta sulmojë Iranin për 40 vjet

Senatori demokrat Chris Van Hollen ka kritikuar ashpër politikën e Presidentit Donald Trump ndaj Iranit, duke thënë se administrata amerikane nuk ka një plan të qartë për luftën që ka filluar në rajon. Van Hollen e tha këtë në një video që postoi në platformën X, pas informimit të mbyllur të administratës amerikane për Senatin mbi situatën në Iran.
“Sapo dola nga seanca informative e administratës në Senat mbi situatën në Iran. Ajo që po dëgjojmë pas dyerve të mbyllura është në fakt e njëjta gjë që po dëgjojmë publikisht — mungesë koherence totale”, tha senatori.

“Trump e shkeli premtimin e tij për të mos e përfshirë SHBA-në në luftëra të reja”

Van Hollen tha se administrata nuk ka dhënë një shpjegim të qartë pse Trump, siç pretendon ai, e shkeli premtimin e tij për të mos e futur SHBA-në në luftëra të reja. “Nuk ka asnjë shpjegim pse Donald Trump e shkeli premtimin që i bëri vendit kur tha se nuk do të na fuste në luftëra të tjera”, tha ai.
Ai shtoi se shpjegimet e administratës ndryshojnë vazhdimisht. “Narrativat rreth asaj se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë ndryshojnë vazhdimisht. Edhe sot në Zyrën Ovale, presidenti ka dhënë shpjegime të ndryshme”, tha ai.

“Administrata vazhdon të ndryshojë arsyet e luftës”

Sipas tij, një nga arsyet e dhëna nga administrata është programi bërthamor i Iranit.
“Nga njëra anë, ata thonë se qëllimi është të sulmojnë programin bërthamor të Iranit. Por ne e dimë që Irani nuk ka armë bërthamore. Presidenti tha vitin e kaluar se programi i tyre është shkatërruar plotësisht”, tha Van Hollen.

Ai shtoi se më pas ata folën për raketat balistike të Iranit. “Pastaj thonë se po sulmojnë raketat balistike të Iranit. Irani nuk ka raketa balistike që mund të afrohen afër Shteteve të Bashkuara. Asnjë,” tha ai.
Sipas senatorit, Trump përmendi çlirimin e popullit iranian si një arsye tjetër.

“Netanyahu ka dashur të sulmojë Iranin për 40 vjet”

Van Hollen paralajmëroi gjithashtu kundër vlerësimeve të inteligjencës amerikane. “Nëse shikoni vlerësimet e CIA-s të disponueshme publikisht, ato thonë se largimi i udhëheqjes iraniane ka shumë të ngjarë të çojë në ardhjen në pushtet të një grupi edhe më radikal”, tha ai.
Ai shtoi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kohë që mbështet sulmin ndaj Iranit. “Ajo që dimë nga Ministri i Jashtëm Rubio është se Netanyahu ka vendosur të sulmojë Iranin”, tha ai.
“Netanyahu ka dashur ta sulmojë Iranin për 40 vjet. Ai thjesht nuk ka gjetur një president aq budalla sa t’i përfshijë Shtetet e Bashkuara në atë luftë. Dhe tani Donald Trump e ka bërë këtë”, tha ai.
Sipas tij, administrata nuk ka asnjë plan për t’i dhënë fund konfliktit. “Ata nuk kanë asnjë ide se si duhet të përfundojë kjo”, përfundoi Van Hollen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *