LVV propozon sërish Albulena Haxhiun, ajo nuk i merr votat e mjaftueshme

Përpjekja e re e Lëvizjes Vetëvendosje drejt konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka sjellë rezultat të njëjtë.

Vetëm 57 vota kanë qenë sërish për Albulena Haxhiun për kryeparlamentare që mbetet emri i vetëm që Vetëvendosje do të që jetë në krye të Kuvendit.

47 deputetë kanë votuar kundër, ndërkaq 3 kanë abstenuar. Në nisje të seancës që zgjati vetëm disa minuta, kryesuesi Avni Dehari u bëri thirrje partive që të ketë mirëkuptim e të zhbllokohet situata.

“Mua nuk më takon të imponoj votimin, por do të ishte mirë të kishte mirëkuptim të zhbllokojmë këtë situatë sepse me të vërtetë qytetarët po presin të krijohen institucionet e Republikës së Kosovës”.

Kur doli në foltore, ish-kryetari Glauk Konjufca, tha se propozimi i tyre mbetet i njëjtë, derisa kërkoi mirëkuptimin e të gjithëve për të kontribuuar drejt zgjidhjes së bllokadës.

“Ne sërish e bëjmë propozimin e njëjtë. Pra, emri ynë i vetëm është Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Kërkoj mirëkuptimin tuaj t’i kontribuoni zhbllokimit të kësaj situatë në të cilën kemi mbetur, në mënyrë që të kalojmë në faza tjera edhe të zgjedhjes së nënkryetarëve”, tha Konjufca.

Por, votimi solli të njëjtin rezultat edhe në të katërtën herë për Albulena Haxhiun, e cila nuk arriti t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të legjislativit.

Deputetët do të mblidhen sërish pas 48 orësh, më 27 prill nga ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *