Gazetare: Fatlume Dervishi
Prokuroria për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit thotë se ka kërkuar nga MPB-ja analizën e të dhënave të nxjerra nga telefonat celularë të një personi nga zyra e Presidentes dhe nga një sistem kompjuterik, por deri më sot, pavarësisht seriozitetit të rastit, ndjeshmërisë së rrethanave dhe rëndësisë së veprimit në kohë, ata nuk kanë marrë përgjigje për veprimet e ndërmarra dhe as për provat e mbledhura.
Nga fundi i vitit të kaluar Prokuroria ka hapur procedurë pas raportimit për dyshime se përmbajtja, pra të dhënat, ishin nxjerrë në mënyrë të paautorizuar nga sistemi i informacionit në Zyrën e Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova. Ministrisë i ishte kërkuar analiza e dëshmive dhe sigurimi i video materialeve.
“- MPB-ja nuk ka dhënë asnjë informacion kthyes deri më sot, as nuk ka raportuar ndonjë veprim të ndërmarrë në lidhje me sigurimin e kopjeve të videove të kamerave të sigurisë.
– Prokuroria për Krim të Organizuar nuk ka marrë asnjë njoftim nga MPB-ja në lidhje me rezultatet e veprimeve të ndërmarra, as për provat e mbledhura”, komunikojnë nga Prokuroria e Krimit të Organizuar.
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk duket i shqetësuar nga këto dyshime për spiunazh. Ai tha se dyshimet vinë nga struktura që i quajti llumi i shoqërisë.
“Ata struktura janë llumi i shoqërisë nga e kaluara që kanë qenë si brejtës nëpër kabinetet e disa politikanëve të mëhershëm, presidentëve, kryeministrave, etj., paraqiten si grupe të punësuarish dhe dërgojnë shkresa anonime në prokurori, kuptohet aty është Islam Abazi që menjëherë të vrapojë dhe të krijojë panik në opinion se gjoja diçka ka ndodhur. Unë nuk do t’i komentoja këto brejtës sepse mendoj se duhet t’i harrojmë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas informacioneve të publikuara një ditë më parë nga “Slloboden peçat”, një administrator i IT-së në Zyrën e Presidentes është nën dyshim se ka kopjuar, koduar dhe ruajtur të dhëna konfidenciale dhe ka qenë i lidhur me një shërbim inteligjence. Në ankesë, përmenden edhe zyrtarë të tjerë nga Kabineti dhe Agjencia e Inteligjencës, të cilët dyshohen se mund të merrnin pjesë në fshehjen e provave, madje edhe zyrtarë të lartë qeveritarë të cilët dyshohet se i kanë kërkuar Presidentes dhe prokurorit të mbyllin çështjen./Alsat
