Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e organizuar për shënimin e përvjetorit të 15-të të themelimit të Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM).
“Sot jemi mbledhur për të shënuar 15-vjetorin e IBCM-së, një qendër universitare sui generis për shumë arsye. Vetë pozita gjeografike e kolegjit, përbërja studentore, si dhe përmbajtja e programeve akademike – jo vetëm në shqip, por edhe në anglisht – tregon se në këtë institucion të gjithë janë të mirëseardhur. Çdo studente e student që diplomon nga IBCM është i përgatitur mirë për tregun e punës dhe për jetën në përgjithësi “, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij të rastit, thuhet në njoftim.
Siç ka bërë të ditur kryeministria, ai tha se gjatë gjithë mandatit, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka kursyer mbështetjen për këtë institucion të rëndësisë së veçantë. Këtë e kemi bërë me shqyrtim dhe analiza të kujdesshme, e më tej me vendimmarrje konkrete.
“Me vendim të Qeverisë, që nga viti 2023, IBCM financohet krejtësisht nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Arsimit, duke garantuar kështu vazhdimësi cilësore të zhvillimit akademik të trupës studentore”, theksohet tutje në njoftim.
Duke folur për përkrahjen që i është dhënë fushës së arsimit, Kurti tha se qeveria ka dëshmuar vendosmërinë e saj për të mbështetur rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në të gjitha modalitetet e mundshme.
“Largimi i tarifave semestrale për studentët e universiteteve publike, mbështetja me bursa brenda dhe jashtë vendit, hapja e mundësive të reja për studime dhe hulumtime shkencore, ngritja e platformave të rrjetëzimit për projekte kërkimore – janë vetëm disa nga veprimet specifike që kemi ndërmarrë gjatë kësaj qeverisjes sonë. Natyrisht, puna jonë do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm, ku mbështetja do të intensifikohet dhe rezultatet nuk do të mungojnë”, tha ai.
Tutje Kurti e uroi stafin edhe studentët për 15-vjetorin e themelimit të këtij kolegji, teksa u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për mbështetje të nismave kreative nga studentët dhe se është përherë në shërbim të të gjithë qytetarëve, sepse vetëm kështu avancojmë bashkë, vetëm kështu Kosova jonë përparon.