Nis votimi me postë, mbi 105 mijë votues të regjistruar

Ka nisur sot procesi i votimit me postë për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar paraprakisht për zgjedhjet e 7 qershorit. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), rreth 105 mijë votues nga diaspora do të kenë mundësi të votojnë përmes postës deri më 6 qershor.

KQZ-ja një ditë më parë ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë përgatitur pakot e fundit me fletëvotime për dërgim jashtë Kosovës.

“Para ditës së mërkurë, KQZ ka përgatitur 75 mijë pako individuale dhe ato pritet që të fillojnë të shpërndahen nga data 21 maj, ndërsa rreth 30 mijë të tjera do të dërgohen në aeroport gjatë së enjtes dhe nga aty për t’u nisur jashtë vendit”, thuej në njoftim.

Sipas KQZ-së, secila pako përmban udhëzuesin për procedurën e votimit, fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë dhe zarfin kthyes. Institucioni ka bërë të ditur se çdo dërgesë është e pajisur me numër unik gjurmimi, i cili u është dërguar votuesve të regjistruar përmes njoftimeve elektronike, në mënyrë që ata të mund të përcjellin vendndodhjen e pakos së tyre.

KQZ u ka bërë thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për kthimin e zarfeve me votë, për të shmangur vonesat eventuale në mbërritjen e tyre.

Votimi me postë do të zhvillohet nëpërmjet kutive postare të funksionalizuara në 22 shtete, përfshirë Gjermania, Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, ku jeton pjesa më e madhe e diasporës kosovare. Gjithashtu, mbetet funksionale edhe kutia postare e përhershme e KQZ-së në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *