Sot nis, me 28 maj, zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor 2026 në Kosovë. Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare do të zgjas deri në heshtjen zgjedhore, para ditës së votimit më 07.06.2026.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këto zgjedhje kanë të drejtë vote gjithsej 2,092,174 qytetarë.
Prej tyre, 1,959,962 votues do të votojnë brenda vendit, ndërsa 132,212 qytetarë janë regjistruar për votim nga diaspora, përmes postës apo përfaqësive diplomatike. Nga këta, 100,970 do të votojnë përmes postës jashtë Kosovës, 3,518 përmes kutisë postare në Kosovë dhe 27,724 fizikisht në përfaqësitë diplomatike.
Në garën për 120 ulëset e Kuvendit marrin pjesë 23 subjekte politike me gjithsej 917 kandidatë, duke reflektuar një konkurrencë të gjerë politike në këtë proces zgjedhor. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në listat e partive politike janë të përfshirë 603 burra dhe 314 gra.
KQZ ka bërë të ditur se është duke përmbyllur përgatitjet teknike dhe organizative, me qëllim që procesi i votimit të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe transparente.
Subjektet politike garuese kanë paralajmëruar aktivitetet e tyre hapëse për sot në disa qytete të vendit, të cilat do të zhvillohen sipas këtij orari.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta hapë aktivitetin elektoral në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00.
Më pas, në orën 19:30, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të mbajë tubimin hapës në Palestrën e Sporteve në Ferizaj.
Në vazhdim, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të zhvillojë aktivitetin e saj me simpatizantë në Gjakovë, duke filluar nga ora 19:45.
Ndërkaq, në orën 20:00, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paralajmëruar takim me qytetarët në sheshin e qytetit të Ferizajt.
Partia Socialdemokrate (PSD) e ka hapur fushatën më herët, të mërkurën, me një aktivitet simbolik.
