Të jetosh me frymën e sakrificës

“Te Allahu nuk arrin as mishi i tyre e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin devotshmëria juaj.” (El-Haxh, 37)

Nga h. Afrim Tahiri


Ekzistojnë një numër festash që kalendari i ka të shënuara si data, kurse janë disa të tjera që ngelin përjetë të shënuara në ndërgjegje. Kurban Bajrami i përket këtyre të fundit. Ai nuk është vetëm një ditë gëzimi fetar, as vetëm një ritual i trashëguar që kur ekziston njerëzimi, por një çast kur njeriu vendoset përballë vetvetes dhe pyetet: çfarë je i gatshëm të japësh nga vetja për të mbetur njeri?
Në esencë të kësaj feste nuk qëndron thika, as mishi, as ceremonia, por, thjesht, sakrifica. Jo ajo sakrificë që bëhet për t’u dukur para botës, as ajo që reklamohet si bamirësi publike. Kurban Bajrami flet për sakrificën e heshtur, për atë që ndodh brenda shpirtit, aty ku askush nuk sheh. Historia e Ibrahimit a.s. nuk është histori e humbjes së të birit, por histori e gatishmërisë për ta vënë besimin mbi egoizmin, bindjen mbi frikën dhe Zotin mbi vetveten.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron madhështia e kësaj feste: ajo nuk e mat besimin me fjalë, por me atë që je në gjendje të lësh nga vetja.
Sepse njeriu e ka të lehtë të lutet. E ka më të lehtë të flasë për Zotin, sesa të heqë dorë nga krenaria, lakmia, urrejtja, egoja apo padrejtësia. Dhe megjithatë, kurbani i parë që kërkohet prej njeriut nuk është kafsha, por vetja e tij e egër. Nuk është rastësi që çdo religjion i madh e ka vendosur sakrificën në qendër të moralit njerëzor. Pa sakrificë nuk ka dashuri. Pa sakrificë nuk ka familje. Pa sakrificë nuk ka komb, kulturë, dije apo besim. Çdo gjë që ka vlerë në jetën njerëzore është ndërtuar mbi një heqje dorë.
Prandaj Kurban Bajrami nuk mund të reduktohet në një rit që përsëritet një herë në vit. Nëse sakrifica mbetet vetëm festive, atëherë ajo humbet kuptimin e saj më të thellë, siç po humb ditë e më shumë që kur institucionet tona fetare e kanë shpërfytyruar në mundësi për mbushje të financave buxhetore.
Natyrisht, njeriu nuk thirret të kujtohet për Zotin vetëm në ditë të shenjta, por të jetojë me vetëdijen e Tij në çdo çast. Ka njerëz që therin kurban, por nuk flijojnë asnjë grimë të padrejtësisë së tyre. Ka njerëz që ndajnë mishin, por nuk ndajnë asnjëherë zemrën. Ka njerëz që përkulen në lutje, por nuk përulen kurrë përballë së vërtetës.
Dhe ndoshta tragjedia moderne e besimit qëndron pikërisht këtu: te kthimi i fesë në zakon dhe jo në vetëdije.
Sakrifica kërkohet në jetën e përditshme. Në durimin ndaj prindit të moshuar. Në ndershmërinë kur mashtrimi do të ishte më fitimprurës. Në heshtjen përballë provokimit. Në faljen kur hakmarrja duket më e lehtë. Në mbrojtjen e së drejtës edhe kur të kushton. Në përkushtimin ndaj fëmijës, ndaj dijes, ndaj njeriut në nevojë. Çdo ditë njeriu pyetet: çfarë je gati të flijosh për të mbetur besnik ndaj së mirës? A të duhet kurbani për ta financuar padrejtësinë para Zotit dhe para organeve të drejtësisë!
Kjo është arsyeja pse Kurban Bajrami nuk duhet parë vetëm si kujtesë historike e një prove hyjnore, por si metaforë e përhershme e ekzistencës njerëzore. Sepse jeta vetë është një seri sakrificash. Nëse nuk sakrifikon për të vërtetën, do të sakrifikosh të vërtetën për interesin. Nëse nuk sakrifikon për drejtësinë, do të sakrifikosh drejtësinë për frikën. Njeriu gjithmonë flijon diçka; pyetja është vetëm: për çfarë? E Allahu i Gjithëmëshirshëm na urdhëron: “Thuaj: “Vërtet, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve.” (El-En‘am, 162)
Në këtë kuptim, Kurban Bajrami është më shumë se festë. Ai është edukim shpirtëror. Është rikthim te ideja se besimi nuk matet me sa herë e përmend Zotin, por me sa herë e vendos veten në shërbim të asaj që është më e madhe se egoja jote. Sepse Zoti nuk ka nevojë për mishin e kurbanit. Ajeti kuranor i sures El-Haxh, thotë: “Te Allahu nuk arrin as mishi i tyre e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin devotshmëria juaj.” Ne kemi nevojë për kuptimin e tij.
Dhe ndoshta pikërisht këtu fillon feja e vërtetë: kur njeriu kupton se kurbani më i vështirë nuk është ai që jep nga pasuria, por ai që jep nga vetja. I Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s. thotë: “Allahu nuk shikon pamjet tuaja dhe as pasuritë tuaja, por shikon zemrat dhe veprat tuaja.” (Transmeton Muslimi)
Sepse sakrifica e vërtetë nuk është ajo që shihet nga njerëzit, por ajo që e ndryshon njeriun përbrenda. Kurban Bajrami na kujton se besimi nuk jeton në ritualin e një dite, por në gatishmërinë për të flijuar çdo ditë nga egoja jonë, për hir të së mirës, të drejtës dhe dashurisë ndaj Zotit. Vetëm atëherë kurbani pushon së qeni zakon dhe bëhet mënyrë e të jetuarit sipas parimeve hyjnore.
Ju qoftë për hajër kjo festë e shenjtë – Kurban Bajrami. Urojmë dhe lutemi për haxh të pranueshëm për njerëzit tanë si dhe për të gjithë myslimanët e botës që janë duke e kryer këtë kusht islam. Paqe për ta dhe për mbarë njerëzimin.

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *