Polici i Shqipërisë, Aurel Kaziu, u arrestua një ditë më parë në Kosovë pasi u kap me një milion euro të padeklaruara në automjetin e tij.
Pas arrestimit, ai u pezullua menjëherë nga detyra.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, zbuloi detaje të reja në emisionin “Top Story”.
Sipas saj, Kaziu ishte në detyrë për pak më pak se një vit dhe dyshohet se mund të jetë përdorur nga grupe kriminale për transportimin e parave drejt Shqipërisë.
“I arrestuari është një polic i ri, agjent i krimeve, i fejuar dhe me familje. Dyshohet se është përdorur nga grupet kriminale për transportin e parave,” tha Bezat.
Ajo shtoi se automjeti i Kaziu po udhëtonte nga Serbia drejt Kosovës, dhe pala kosovare kishte marrë informacione që çuan në kontrollin e tij, ku u gjetën paratë.
“As pala kosovare, as ajo shqiptare nuk kanë mundur të identifikojnë origjinën e parave. Dyshohet se ato i përkasin një grupi kriminal që vepron në territorin shqiptar, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, për pastrim parash,” deklaroi Bezat.
Rasti vijon të hetohet nga autoritetet për të përcaktuar të gjithë zinxhirin kriminal dhe përfshirjen e policit të arrestuar.
