Rusia ka kërkuar nga shtetasit e huaj dhe diplomatët që të largohen nga Kievi, duke paralajmëruar për sulme të reja ndaj kryeqytetit ukrainas dhe “qendrave të vendimmarrjes”.
Paralajmërimi vjen një ditë pas një vale të madhe sulmesh me raketa dhe dronë ndaj Kievit, ku u raportuan dy të vdekur dhe mbi 90 të plagosur.
Ministria e Jashtme ruse tha se forcat e saj po kryejnë “sulme sistematike” ndaj objektivave ushtarake në Kiev dhe paralajmëroi se do të goditen edhe qendrat komanduese.
Rusia pretendon se sulmet janë hakmarrje për një sulm ukrainas në rajonin e Luhanskut, ku u vranë 21 persona.
Autoritetet ukrainase thanë se ekipet e shpëtimit po vazhdojnë pastrimin e rrënojave, ndërsa mbi 70 ambasadorë vizituan vendet e goditura në Kiev.
Sipas tyre, dëmet janë të mëdha dhe qindra qytetarë kanë aplikuar për kompensim përmes sistemit shtetëror. /Burimi: Euro News
