Një oficere policie u vra dhe dhjetëra njerëz të tjerë u plagosën pas dy shpërthimeve në qytetin e madh perëndimor të Ukrainës, Lviv, të cilat autoritetet i përshkruan si “akt terrorist”.
Në orët e hershme të mëngjesit të 22 shkurtit, policia kombëtare e Ukrainës njoftoi se pak pas mesnatës ishte bërë një thirrje emergjente për hyrje me forcë në një dyqan lokal.
Sipas njoftimit, pasi një njësit patrullimi mbërriti në vendngjarje, ndodhi një shpërthim, i cili u pasua nga një tjetër shpërthim kur në vend arriti një njësit i dytë.
“Është vërtetuar paraprakisht se kanë shpërthyer mjete të improvizuara shpërthyese”, tha policia në Telegram.
Policia bëri të ditur se nga shpërthimet humbi jetën oficerja e patrullës 23-vjeçare, Viktoriya Shpylka, e cila kishte nisur punën në rajon në vitin 2023 dhe ishte martuar me një tjetër oficer patrulle në vjeshtën e vitit 2025.
Të paktën 25 njerëz të tjerë u plagosën nga incidenti. Në një intervistë televizive, ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se tre persona ndodhen në gjendje “kritike”.
Olha Pidcerkovna, mjeke e urgjencës në spitalin lokal, i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se këta tre persona janë vendosur në aparate të frymëmarrjes së asistuar.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e quajti ngjarjen “sulm terrorist” dhe tha se policia ka ndaluar një të dyshuar. Ai nuk dha hollësi të mëtejshme.
Klymenko shtoi se po vazhdojnë “masat operative dhe veprimet hetimore”: “Autoritetet po identifikojnë persona të tjerë të përfshirë në kryerjen e këtij krimi”.
“Oficerët e policisë u përgjigjen thirrjeve çdo ditë dhe natë, pa e ditur kurrë se çfarë i pret. Por, ata nxitojnë të ndihmojnë, sepse mbrojtja e njerëzve është detyra e tyre kryesore”, shkroi ai në Telegram.
