Në mars, Netanyahu braktisi një marrëveshje armëpushimi me Hamasin, duke rifilluar ofensivën në Gaza dhe duke i zemëruar familjet e pengjeve izraelite.
Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga emisari i Donald Trump, kishte sjellë lirimin e dhjetëra pengjeve në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë.
Megjithatë, Netanyahu vendosi të vazhdojë luftën, duke deklaruar se Hamas duhet të “shkatërrohet plotësisht”, në fakt, ai ndaloi ndihmat humanitare për popullatën në Gaza, me çka ai dhe qeveria e tij morren kritika të ashpra nga shume shtete, organizata dhe popuj.
Sot Netanyahu kritikohet nga shumë izraelitë, atë e akuzojnë se po sakrifikon sigurinë e pengjeve për interesat e tij politike.
Dhe sondazhet tregojnë se 59% e qytetarëve kërkojnë përfundimin e menjëhershëm të luftimeve në këmbim të lirimit të pengjeve.
Pothuajse gjysma e të anketuarve, rreth 49%, menduan gjithashtu se arsyeja e vetme pse Netanyahu po e vazhdon luftën është për konsideratat e tij politike.
Sipas një sondazhi të ri, që do të publikohet së shpejti nga Instituti i Demokracisë në Izrael, Netanyahu “nuk e kalon kufirin e 50% për sa i përket besimit të plotë ose edhe të pjesshëm të izraelitëve tek ai”, shkruan BBC.
Ndërkohë, mbështetja për Netanyahu ka rënë ndjeshëm dhe partia e tij Likud nuk pritet të sigurojë shumicën në zgjedhje.
Në javën e ardhshme, ai pritet të dëshmojë në një proces gjyqësor për akuza të rënda korrupsioni.
Përpjekjet e tij për të shtyrë gjyqin u refuzuan nga gjykata.
Përballë akuzave për krime lufte dhe polarizimit të shoqërisë izraelite, e ardhmja politike e Netanyahut mbetet më e pasigurt se kurrë.