Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur shqyrtimin e të gjitha aplikimeve për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për RTKlive se është përmbyllur shqyrtimi i të gjitha aplikacioneve për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, nga 142 mijë e 803 kërkesa të pranuara për regjistrim, janë aprovuar 131 mijë e 800 aplikime, ndërsa 10 mijë e 907 janë refuzuar dhe 96 të tjera janë anuluar.
Elezi ka theksuar se mënyra më e përzgjedhur e votimit nga diaspora vazhdon të jetë votimi përmes postës. Nga aplikimet e aprovuara, 100 mijë e 522 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 3 mijë e 502 të tjerë për ta dërguar në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 27 mijë e 776 votues janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike.
Elezi ka njoftuar se votimi përmes postës do të fillojë më 25 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor, ndërsa më 6 qershor, një ditë para zgjedhjeve në Kosovë, do të organizohet votimi në përfaqësitë diplomatike.
