Të paktën katër njerëz janë vrarë në një sulm të madh me dronë ukrainas ndaj rajoneve ruse, përfshirë Moskën, e cila u përball me sulmin më të madh në më shumë se një vit të dielën.
Sipas guvernatorit rajonal, Andrei Vorobiev, një grua ka vdekur në një shtëpi në Khimki, në veri të kryeqytetit, ku një person mbeti i bllokuar nën rrënoja. Ndërkohë, një burrë dhe një grua u vranë në fshatin Pogorelki.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, bëri të ditur se 12 persona janë plagosur si pasojë e goditjeve në një rafineri nafte në qytet. Nga ana tjetër, ushtria ruse ka deklaruar se ka interceptuar gjithsej 556 dronë.
Në Ukrainë, autoritetet raportuan se tetë persona janë plagosur si pasojë e sulmeve ruse me dronë dhe granatimeve në rajonin qendror të Dnipropetrovskut.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi një sulm i madh rus me dronë dhe raketa vrau 24 persona në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Në një postim në Telegram të dielën herët në mëngjes, Vorobiev deklaroi se që nga ora 03:00 forcat e mbrojtjes ajrore kanë qenë duke zmbrapsur një sulm të gjerë me mjete ajrore pa pilot (UAV) në rajonin e kryeqytetit.
Ai shtoi se katër persona – tre burra dhe një grua – janë plagosur në rajon, ndërsa disa shtëpi janë dëmtuar. Po ashtu, një shtëpi private është përfshirë nga zjarri në fshatin Subbotino, në jugperëndim të Moskës.
