Tare konfirmon ofertën e fundit për Ardon Jasharin

AC Milan ka dorëzuar ofertën e fundit për Ardon Jasharin dhe nuk do të bëjë hapa të tjerë në negociatat me Club Brugge.

Këtë e ka konfirmuar vetë drejtori sportiv i kuqezinjve, Igli Tare, në një deklaratë për “Gazzetta dello Sport”.

“Ne kemi marrëdhënie të mira me Club Brugge dhe kemi bërë një ofertë tjetër për Jasharin, një ofertë që besojmë se është shumë domethënëse dhe në përputhje me vlerën e lojtarit,” deklaroi Tare.

“Nuk kemi ndërmend të shkojmë më tej”, theksoi ai.

Milani ka përmirësuar propozimin e tij, duke ofruar një shumë fikse prej rreth 33.5 milionë euro, si dhe 2-3 milionë euro në formë bonusesh, që mund ta çojnë totalin në gati 36.5 milionë euro.

Kjo ofertë është përgatitur pjesërisht falë shitjes së Emerson Royal te Flamengo, që ka sjellë 9 milionë euro në arkat e klubit italian.

“Ky është investimi maksimal që jemi të gatshëm të bëjmë,” theksoi Tare, duke lënë të kuptohet se Milani nuk do të vazhdojë më tej në këtë tratativë që ka zgjatur prej disa javësh.

Ndërkohë, një tjetër detaj që forcon skenarin e largimit të Jasharit është mungesa e tij në listën e Club Brugge për ndeshjen debutuese të kampionatit belg ndaj Genk, që zhvillohet sot në orën 18:30.

Një përgjigje përfundimtare nga Brugge pritet të vijë deri në mesin e javës së ardhshme, ndërsa Jashari mbetet në pritje për të hedhur hapin e madh drejt “San Siros”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *