Qeveria e Ukrainës ka njoftuar nënshkrimin e planit të një marrëveshjeje mineralesh midis vendit të shkatërruar nga lufta dhe SHBA-së.
Ministrja e ekonomisë, Julia Svyrydenko tha se memorandumi i qëllimit hapi rrugën për atë që ajo e quajti një marrëveshje partneriteti ekonomik.
Ajo tha se një marrëveshje përfundimtare do të përfshinte gjithashtu një fond investimi për rindërtimin e Ukrainës. Zyrtarët amerikanë shprehën shpresën se një marrëveshje mund të përfundojë deri në fund të javës së ardhshme.
Përplasja publike e Donald Trump me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, i kishte çuar përkohësisht negociatat jashtë kursit.
Svyrydenko njoftoi nënshkrimin e memorandumit në X, por nuk dha detaje të mëtejshme. Postimi i saj përfshinte foto të saj dhe Sekretarit të Thesarit të SHBA Scott Bessent duke nënshkruar veçmas. Nënshkrimi u krye gjatë një telefonate në internet me Bessent, i cili tha se detajet e marrëveshjes ishin ende duke u përpunuar.
Donald Trump la të kuptohet gjithashtu për marrëveshjen gjatë një konference për shtyp me udhëheqësen italiane Giorgia Meloni. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për detaje të mëtejshme mbi kohën dhe përmbajtjen e marrëveshjes, raporton agjencia e lajmeve Reuters. Masa është një hap drejt një marrëveshjeje që do t’i lejonte SHBA-së akses në mineralet kritike të Ukrainës, si dhe në naftë dhe gaz.
Raportet e mëparshme treguan se një “fond investimi” do të krijohej për rindërtimin e Ukrainës dhe do të menaxhohej nga Kievi dhe Uashingtoni në “kushte të barabarta”.
Presidenti Volodymyr Zelensky kishte shpresuar të përdorte marrëveshjen për të siguruar një garanci sigurie të SHBA-së në vendin e tij në rast të një marrëveshjeje armëpushimi me Rusinë. Megjithatë plani u rrëzua në shkurt nga përplasja e Zelensky dhe Trump në Shtëpinë e Bardhë.