Sela mohon të ketë pasur takime me Mickoskin për t’u bërë pjesë e Qeverisë, po jo dhe përpjekjet për takim

Bashkëpunimi i mundshëm i Taravarit me Frontin Evropian duket se ka nisur kokëdhembjet e para në këtë front, shkruan Alsat.

Zijadin Sela nuk u shpreh optimist lidhur me deklaratat e deritanishme të Taravarit, oponentit që një vit më parë përçau Aleancën për Shqiptarët.

Në politikë ka qëndrime dhe nëse Taravari mendon se mund të bashkëpunojë me të gjithë, duhet të jetë i qartë se çfarë jep në shkëmbim, – theksoi Sela.

“Këto lëvizjet e tij natyrisht se duhet parë me kujdes nga ana e Frontit Evropian sepse politika ka qëndrim. Qëndrimi duhet bërë publik dhe të shprehet. Për mua nuk është qëndrim në qoftë se hyjmë në atë që na pret në garën e radhës të zgjedhjeve lokale, nuk mund të jetë qëndrim se unë do të bashkëpunojë me të gjithë, me fjalë të tjera, unë do të marrë nga të gjithë. Dhe ç’ka jep në kthim? Asgjë hiç!”, tha Ziadin Sela – ASH/FE.

Lidhur me zërat në opinion, se paralelisht, në rast të shkeljes së linjave të kuqe, Sela mund të braktisë Frontin, madje me mundësinë edhe për hyrjen e tij në qeveri, ai u shpreh:

“Unë nuk kam pasur takim me z. Mickoski, kur të kem do të jetë publike. Nuk them që s’ka pasur tentativa për t’u takuar. E kam transmetuar atë (qëndrim) që unë kam si politikan. Në drejtim të kësaj, unë mendoj sene duhet të ndërtojmë standarde politike, dhe standard në politikë sipas meje, që realisht nuk është që kështu funksionon skena politike sot dhe sidomos në RMV por edhe në rajon, nuk është gënjeshtra, por është e vërteta”, u shpreh Ziadin Sela – ASH/FE.

Pavarësisht  një sërë takimesh me Ahmetin, deri tani nuk ka ende asnjë ndarje konkrete.

Në opinion qarkullojnë zëra se Taravarit i janë premtuar 6 komuna, ndërkohë që së fundi, Gostivari mund të rikthehet sërish në domenin e BDI, duke i kaluar Taravarit Strugën.

Me këtë, duket se Aleanca e Selës do të mbetet vetëm me Haraçinën. Ajo që ngrihet si çështje është bashkëpunimi i mundshëm drejt një Aleance të Bashkuar, dhe se sa e arritshme do të jetë ajo, kur Sela kishte kërkuar falje publike dhe dorëheqje nga Taravari./ Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *