Hoxha: Në qafën e nxënësit kishte ngjyrë të kuqe me marker, jo gjak

Incidenti i ndodhur ditë më parë gjatë defilimit të maturantëve të Mitrovicës së Veriut ku Serbia po pretendon se gjatë këtij manifestimi u lëndua një maturant si rezultat i veprimeve policore, për çka edhe kanë lëshuar urdhërarrest ndaj zyrtarit të Policisë së Kosovës, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoha i ka quajtur të pavërteta.

Ai thotë se në qafën e maturantit nuk ka pasur gjak, por ngjyrë të kuqe me marker, siç kishin njëjtë edhe shumë nxënës të tjerë.

“Janë evidentuar imazhet e shfaqura tek perosni në hapësirën e qafës ku pretendohet se personi kishte gjak, ka rezultuar të ishte ngjyrë. Në këto imazhe është vërtetuar se shenjat me ngjyrë në qafë i njëjti i kishte pasur edhe para intervenimit të zyrtarëve tanë, ku shenja me ngjyrë kanë pasur edhe persona të tjerë pjesëmarrës në këtë defilim. Po ashtu, edhe në deklaratën e tij zyrtare, të vetë palës, që e ka dhënë dje në prezencë të prindit të tij ka thënë se këto shenja janë vendosur me ngjyrë markeri nga shokët e klasës së tij pasi kjo është një traditë që përdorët në festat e maturantëve të shkollave të mesme në Mitrovicë të Veriut. Vlen të potencohet që se gjatë intervistës së tij i njëjti nuk ka poseduar ndonjë lëndim të shfaqur, gjë që dëshmon që ka pasur ngjyrë”, tha Hoxha.

Drejtori i Policisë tha se edhe në vetë deklaratën e tij, personi në fjalë pranon se ka pasur provokime dhe thirrje nacionaliste dhe pranon që ka bërë gjeste provokuese. “Sipas tij, në reagim ndaj provokimit që kanë ardhur nga një lokal. Reagimet policore kanë qenë të tilla që vetëm të mos vinte deri te eskalimi mes dy palëve”, tha Hoxha. 

Në këtë konferencë, Hoxha ka shfaqur fotografi që tha se janë analizuar nga ekspertët Forenzikës së Policisë, bazuar në video e fotografi të marra gjatë defilimit të maturantëve atë ditë.

“Dhe mund të shihet që ngjyra në qafën e maturantit ka qenë para veprimit të zyrtarit policor çka dëshmon se nuk është gjak, por ngjyrë markeri. Dhe nuk është shkaktuar ndonjë gjakderdhje gjatë veprimit të zyrtarëve tanë policor gjatë këtij incidenti”, tha tutje Hoxha. 
Aty janë shfaqur edhe pamje të profilit të maturantit në fjalë, fotografuar gjatë intervistimit ku thuhet se është vërtetuar se nuk ka asnjë shenjë që tregon se ka pasur lëndim apo gjakderdhje gjatë ballafaqimit të ndërhyrjes së policisë.
Hoxha, tha se dëshmitë janë siguruar nga kamerat që e mbulojnë atë zonë, videot e shfaqura në media si dhe nga vetë deklarata e dhënë nga personi në prezencë të prindit të tij. 
Ai foli edhe për fletarrestin që Serbia e ka lëshuar për zyrtarin policor.  “Njoftimi i djeshëm se ndaj policit tonë është lëshuar fletarrest është në vazhdën e përpjekjeve dhe përndjekjeve që Serbia ka bërë ndaj policëve tanë. Kjo propagandë e vazhdueshme e fabrikuar dëshmon se policia është bërë target i sulmeve hibride që burimin e kanë në Beogradin zyrtar”, tha ai. 
Ka treguar se në adresë të policit kanë shkuar shumë kërcënime me thirrje për vrasje e që tha se të njëjta po trajtohen në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse. 
“Sa i përket kërcënimeve zyrtari jonë policor ka pranuar kërcënime që menaxhohen nga grupe të serbëve në veri duke bërë thirrje në vrasjen e tij, këto kërcënime do të trajtohen seriozisht. Nuk do të lejojmë që policët tanë të bëhen cak i sulmeve”. 
Ka treguar se rasti po hetohet edhe nga IPK-ja. “Për çdo veprim që policët mund të tejkalojnë kompetencat e tyre ne do t’i trajtojmë seriozisht. Këto pretendime i kemi adresuar në IPK për t’i hetuar. Zyrtari policor është transferuar në Mitrovicën e Jugut për të evituar çdo lloj kontakti a provokimi”, tregoi drejtoi i policisë në këtë konferencë të së dielës rreth incidentit të krijuar me defilimin e maturantëve në Mitrovicën e Veriut. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *