Aleatët evropianë zotohen për 21 miliardë euro ndihma për Ukrainën

Aleatët evropianë të Ukrainës janë zotuar se do të dërgojnë 21 miliardë euro ndihma të reja ushtarake për Kievin, duke shtuar se besojnë se ky do të jetë vit vendimtar për luftën, e cila po zgjat që më shumë se 3 vjet.

Ministrat evropianë të Mbrojtjes, së bashku me aleatët tjerë të Ukrainës, janë takuar në Bruksel, ku kanë diskutuar rreth nevojave të ardhshme të Ukrainës dhe mënyrave në të cilat Evropa mund të  vazhdojë t’i ndihmojë Kievit në luftën kundër agresionit rus.

 Pas takimit u njoftua se të pranishmit janë zotuar se do t’i dërgojnë Ukrainës dhe 21 miliardë Euro ndihma ushtarake, ku do të përfshihen municione, mjete të ndryshme ushtarake, si dhe sisteme të avancuara të radarëve dhe mbrojtjeve ajrore. Ata, madje shtuan se , përkundër tentimeve të Administratës Amerikane, nuk ka asnjë shenjë që Rusia planifikon ta ndalojë agresionin apo të pranojë ndonjë marrëveshje të armëpushimit, e cila me të vërtetë do të ndalonte luftimet.

Por, duke folur për zhvillimet në front, shumë prej tyre shprehën besimin se ky vit do të jetë viti vendimtar i luftës, e cila tanimë po zgjatë më shumë se 3 vjet.

 Njëra prej pikave qendrore të paketës së re të ndihmave, gjysma e së cilës do të mbulohet nga Gjermania, është përqendrimi në fluturaket pa pilot, si dhe mjetet për t’i luftuar ato. Sipas raporteve të fundit, 70 deri 80% të të gjitha viktimave ruse tani po shkaktohen nga fluturaket ukrainase pa pilot, përderisa edhe Rusia është duke përdorur numra të lartë të këtyre sistemeve të lira dhe efikase kundër trupave dhe sistemeve të armatimit që kushtojnë me miliona dollarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *