Aleatët e NATO-s reagojnë ndaj kërcënimit të Trumpit për largim

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s u përshkallëzuan pasi presidenti Donald Trump tha se po shqyrtonte tërheqjen e SHBA-së nga aleanca ushtarake perëndimore për shkak të refuzimit të anëtarëve evropianë për të dërguar anije për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit, shkruan Reuters.

Në një intervistë për Reuters, Trump tha se në fjalimin drejtuar kombit më vonë gjatë ditës do të flasë për “neverinë” e tij ndaj NATO-s dhe se po e konsideron “absolutisht” largimin e SHBA-së nga aleanca.

I pyetur nëse po mendonte të tërhiqte SHBA-në nga NATO, ai u përgjigj: “Oh, absolutisht, pa asnjë dyshim. A nuk do ta bënit ju po të ishit në vendin tim?”

Komentet e Trumpit erdhën vetëm disa orë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, refuzoi të rikonfirmonte përkushtimin e SHBA-së ndaj mbrojtjes kolektive të NATO-s, një koncept që qëndron në thelb të aleancës.

Ekspertët thonë se nuk është e qartë nëse Trump mund të veprojë në mënyrë të njëanshme për të dalë nga aleanca 77-vjeçare, ndërsa kanë paralajmëruar se deklaratat e tij të përsëritura mund ta inkurajojnë Rusinë të testojë gatishmërinë e anëtarëve të NATO-s për të zbatuar Nenin 5, sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.

Franca reagoi duke theksuar se NATO është një aleancë ushtarake për sigurinë e territoreve në zonën euro-atlantike dhe jo për operacione në Ngushticën e Hormuzit.

Në Poloni, ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, bëri thirrje për qetësi, duke thënë se “nuk ka NATO pa Shtetet e Bashkuara”, por edhe se “nuk ka fuqi amerikane pa NATO-n”.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj NATO-s, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se Britania do të veprojë në interesin e saj dhe se paqëndrueshmëria nga lufta me Iranin kërkon lidhje më të afërta ekonomike dhe të mbrojtjes me Evropën.

Lufta me Iranin ka thelluar tensionet mes SHBA-së dhe Evropës, të cilat janë rritur që nga fillimi i mandatit të dytë të Trumpit, për çështje që variojnë nga tregtia te Ukraina dhe kërkesat e tij për Groenlandën.

Sipas Reuters, Franca ka refuzuar t’i lejojë Izraelit të përdorë hapësirën e saj ajrore për furnizimin e një fluturimi me armë amerikane për luftën kundër Iranit, ndërsa Italia ka refuzuar lejen për avionët ushtarakë amerikanë që të ulen në bazën ajrore Sigonella në Siçili para nisjes drejt Lindjes së Mesme.

Spanja, ndërkaq, tha publikisht se e kishte mbyllur plotësisht hapësirën e saj ajrore për avionët amerikanë të përfshirë në sulmet ndaj Iranit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *