Heshtja institucionale në funksion të mbulimit të dështimit

Këto ditë në Shkup Dijaneti i Turqisë mbajti Samitin e 10 të kryetarëve të bashkësive fetare islame të shteteve të Ballkanit. A mori vesh dikush për këtë event?

Nga Mr. Eset Shaqiri

Nën një fshehtësi të pakuptimtë dhe të pajustifikueshme, pa praninë e asnjë mediumi, pa një kumtesë të vetme zyrtare, pa transparencën minimale që kërkon një ngjarje ndërkombëtare, në Shkup u mbajt Samiti i 10-të i Kryetarëve të Bashkësive Fetare Islame të vendeve të Ballkanit, i organizuar nga Dijaneti i Turqisë dhe i “mikpritur” nga BFI-ja në RMV.
Një ngjarje që dikur ishte platformë për përfaqësim institucional dhe komunikim publik, këtë herë u shndërrua në një operacion të mbyllur, thuajse konspirativ. Asnjë njoftim paraprak. Asnjë shenjë publike. Asnjë përpjekje për të përfshirë opinionin. Asgjë. Një heshtje që nuk flet për seriozitet, por për frikë, për frikë nga llogaridhënia, frikë nga transparenca, frikë nga vetë publiku që supozohet se përfaqësohet.
Në samitin e parë, institucionet shtetërore e trajtuan këtë ngjarje siç i takon: presidenti mbajti fjalim, kryeministri priti delegacionet. Kishte dinjitet, kishte protokoll, kishte mesazh. Sot? Një aktivitet që zhvillohet në errësirë, sikur të ishte një ngjarje që duhet fshehur e jo promovuar.
Kulmi i absurdit vjen me të ashtuquajturin “informim”: një fjali e thatë, e hedhur në errësirën e natës, ku aktiviteti reduktohet në një pritje protokollare me “atmosferë të lartë institucionale”. Pra, sipas tyre, ngjarja nuk është samiti, por darka. Nuk është përmbajtja, por dekorimi. Nuk është dialogu, por fotografia. Nuk është organizimi, por, pritja dhe akomodimi!
Faqja zyrtare e BFI-së, një hapësirë që duhet të jetë arkiv institucional dhe pasqyrë e përgjegjësisë publike, është një shkretëtirë informative. Asnjë histori e samitit. Asnjë sqarim mbi qëllimin. Asnjë listë pjesëmarrësish. Asnjë temë diskutimi. Asnjë konkluzion. Asgjë që do t’i jepte kuptim një aktiviteti të këtij niveli. Heshtje totale.
Në vend të informacionit, publikut i servohet një galeri fotografish: 141 copë, dhe disa video të gjata pa kontekst. Një teatër vizual për të maskuar zbrazëtinë përmbajtësore. Një propagandë e zhveshur nga çdo substancë.
Por problemi nuk është vetëm te kjo ngjarje. Problemi është konceptual. Sepse një samit, në vetvete, nuk është një tubim formal për t’u kryer “sa për sy e faqe”. Një samit është një instrument politik, kulturor dhe institucional i komunikimit të ideve, i ndërtimit të qëndrimeve të përbashkëta dhe i prodhimit të mesazheve publike. Ai nuk është vetëm një takim, por, mbi të gjitha, është një deklaratë. Dhe çdo deklaratë, në mungesë të komunikimit, bëhet një heshtje që flet kundër vetvetes.
Në botën bashkëkohore, një samit nuk ekziston pa PIA-rin e tij. Marrëdhëniet me publikun nuk janë një shtesë kozmetike, por thelbi i funksionimit të një eventi të tillë. Një samit i organizuar siç duhet fillon me njoftime paraprake, me agjendë të qartë, me transparencë mbi temat, pjesëmarrësit dhe qëllimet. Vazhdon me mbulim mediatik, konferenca për shtyp, deklarata të ndërmjetme. Dhe përfundon me konkluzione të artikuluara, dokumente publike, mesazhe të qarta për opinionin.
Sepse opinioni publik nuk është një spektator i padëshiruar, ai është adresuesi kryesor. Një samit që nuk komunikon me publikun është një samit që nuk ekziston. Një ngjarje që nuk prodhon informacion është një ngjarje që nuk prodhon kuptim.
Në këtë rast, kemi të bëjmë me një përmbysje të plotë të logjikës së komunikimit: informacioni zëvendësohet me imazh, përmbajtja me formë, transparenca me heshtje. Dhe kjo nuk është thjesht paaftësi, është një strategji. Një strategji për të kontrolluar perceptimin duke fshehur realitetin dhe, për ta shpërfaqur një event sa për sy e faqe, tërësisht të dështuar.
Dhe ndërkohë që publiku mbahet në errësirë, “misioni” i vërtetë duket se është përmbushur me përpikëri: shpenzime të dyshimta, manipulim fondesh, abuzim me organizimin, ndërhyrje në institucionet arsimore të BFI-së të cilat u detyruan të mobilizohen për të mbushur një sallë që, ironikisht, mbeti gjysmë bosh. Një metaforë e përkryer e këtij samiti: shumë zhurmë për asgjë, shumë forma për një boshllëk të madh.
Kjo është pika ku kritika nuk është më një zgjedhje, por, është një detyrim. Sepse kur institucionet fetare, që pretendojnë të jenë bartëse të etikës dhe moralit, operojnë në errësirë, atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me një dështim organizativ, por me një krizë të thellë të besueshmërisë.
Kur një institucion e shmang publikun, ai në fakt e pranon se nuk ka çfarë t’i thotë atij. Kur një samit zhvillohet në fshehtësi, ai në fakt pranon se nuk ka asgjë për të komunikuar. Dhe kur mungojnë konkluzionet, atëherë është e qartë se mungon edhe përmbajtja.
Sepse, në fund, nuk është publiku që nuk u ftua. Është e vërteta ajo që u përjashtua.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *