Seanca për konstituimin e Kuvendit do të mbahet sot në orën 17:00. Kjo seancë pritet të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pas mbledhjes me përfaqësuesit e partive politike, kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, njoftoi se ka pasur konsensus që në seancën konstituive nënkryetarët e Kuvendit të votohen në pako.
Sipas tij, pas konstituimit të Kuvendit do të vazhdohet me seancën për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Sipas njoftimit të zyrës për informim të Kuvendit, pikat e rendit të ditës janë: formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Ndryshimi i vetëm është që seanca konstituive nuk do të nisë në orën 12:00, siç kishte kërkuar më herët presidentja e vendit, Vjosa Osmani, por në orën 17:00.
“Liderët e subjekteve politike kanë pranuar që mbledhja e seancës konstituive të mbahet në orën 17:00 dhe pastaj të vazhdohet me votimin e Qeverisë”, ka thënë Basha.
Ky ndryshim erdhi pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës, pasi në Hagë do të mbahen deklaratat përmbyllëse të ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
