Transparenca i duhet një shoqërie jo për zbukurim moral, por për mbijetesë institucionale. Ajo është filtri që ndan autoritetin nga uzurpimi, drejtësinë nga arbitrariteti, besimin nga mashtrimi
Nga Mevlan Rashiti
Pa transparencë, çdo institucion, sado i shenjtë të pretendojë se është, rrëshqet në errësirë, ku ligji relativizohet dhe morali përdoret si fasadë. Rasti i gjatë gjyqësor ndërmjet ish-myftiut të Tetovës dhe Bashkësisë Fetare Islame tashmë kishte tejkaluar kufijtë e një konflikti individual. Ai ishte shndërruar në provë lakmusi për mënyrën se si pushteti fetar, i kapur nga një mendësi autoritare, përballej me drejtësinë. Do të zgjaste me dekada sikur ish-myftiu të mos tërhiqej, duke arritur ujdi me reisin e tij. Ujdia konistonte në fshehjen e vjedhjeve reciproke! Sa herë që gjyqësori ka vendosur kundër Shaqir Fetait, vendimet janë heshtur, janë fshehur, janë zhdukur nga komunikimi zyrtar i BFI-së. Kjo nuk është rastësi; kjo është strategji.
Por heshtja nuk është forma më e rëndë e këtij skandali. Forma më e rëndë është mburrja publike me krimin. Jo një herë, por disa herë, Shaqir Fetai ka deklaruar hapur se, nëse e do nevoja “do t’i blejë” (lexo, korruptojë) të gjithë gjyqtarët e vendit dhe se këtë lëndë do ta fitojë me çdo kusht. Kjo nuk është figurë stilistike, nuk është metaforë folklorike, por është kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj rendit juridik. Është shpallje arrogance mbi ligjin, është vetëshpallje e korrupsionit si metodë qeverisjeje.
Këta janë tipat që e kanë rrënuar besimin në drejtësi: manipulantë, shkelës sistematikë të ligjit, korruptues të hapur të gjyqësorit, që nuk turpërohen të deklarojnë se drejtësia blihet si mall tregu. Dhe pastaj çuditen pse qytetarët nuk besojnë më. Si mund të ketë besim në një sistem, kur vetë aktorët e pushtetit krenohen publikisht se e shkelin atë?
Nuk është rastësi që besueshmëria ndaj gjyqësorit në vend ka rënë në përqindje qesharake, vetëm dy për qind e qytetarëve ende besojnë se drejtësia funksionon. Ky perceptim nuk ka rënë nga qielli; ai është ndërtuar pikërisht nga këta individë (si Shaqir Fetai) që e përdorin gjyqësorin si leckë, si instrument shantazhi, si pengesë për t’u blerë ose për t’u anashkaluar. Jo rastësisht, “gjyqtarët” e Shaqir Fetait gjenden në Listën e Zezë amerikane dhe të përjashtuar si “të kapur” nga gjyqësori.
Rasti i fundit gjyqësor është goditje e drejtpërdrejtë ndaj kësaj mendësie të Shaqir Fetait. Gjykata ka konstatuar qartë paligjshmërinë e shkarkimit të ish-drejtorit të Medresesë “Isa Beu” dhe emërimin arbitrar të pasardhësit të tij, në shkelje të të gjitha normativave të BFI-së dhe dispozitave ligjore të shtetit. Me vendim të formës së prerë, Shaqir Fetai është obliguar ta rikthejë në detyrë personin e shkarkuar padrejtësisht. Ky është fakt juridik, jo opinion.
Por çfarë bën “pushteti” i BFI-së i kapur nga arroganca? Nuk kërkon falje. Nuk reflekton. Nuk e pranon gabimin. Përkundrazi, e hesht vendimin, e injoron publikun dhe përgatitet për raundin tjetër të zvarritjes, duke shpresuar se diku, dikur, dikush do të blihet. Kjo është logjika e sundimit personal, e mendësise analfabete: drejtësia nuk respektohet, ajo negociohet.
Këtu konflikti nuk është më mes individëve, por mes dy botëkuptimeve: njërit që e sheh ligjin si normë detyruese dhe tjetrit që e sheh ligjin si pengesë të përkohshme. Dhe kur ky i dyti vishet me petkun e autoritetit fetar, rreziku bëhet dyfish: përdhoset ligji dhe profanohet feja.
Drejtësia mund të manipulohet përkohësisht. Mund të vonohet, mund të blihet, mund të shtypet. Por e vërteta nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit. Para Zotit nuk vlejnë as paratë e BFI-së, as kërcënimet mburravece të Shaqir Fetait, as marrëveshjet nën tavolinë. Aty nuk ka gjyqtarë për t’u blerë.
Dhe pikërisht këtu qëndron ironia tragjike: ai që pretendon të flasë në emër të fesë, po dëshmon çdo ditë se nuk i beson as drejtësisë tokësore, as asaj hyjnore.
