BE-ja pa vendim formal, por Serbia mbetet pa fonde nga Plani i Rritjes

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk ka marrë vendim formal për ngrirjen e fondeve ndaj Serbia, por ka konfirmuar se nuk janë kryer pagesa të reja që nga miratimi i ligjeve kontestuese për drejtësinë.

“Asnjëherë nuk kam thënë se fondet janë ngrirë. Ajo që po bëjmë është verifikimi i vazhdueshëm nëse vendet përfituese të Planit të Rritjes po i përmbushin kriteret”, deklaroi Kos në Bruksel.

Sipas saj, që nga miratimi i ligjeve për drejtësinë disa muaj më parë, Komisioni Evropian nuk ka bërë pagesa të reja për Serbinë, por pa një vendim formal për ndërprerjen e fondeve.

Megjithatë, më 30 prill, Kos kishte deklaruar se pagesat nga Plani i Rritjes ishin ndalur për shkak të “prapakthimit në fushën e drejtësisë”.

Ligjet e miratuara në janar, të njohura si “ligjet e Mërdiqit”, janë kritikuar nga BE-ja pasi konsiderohen se cenojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe paraqesin hap prapa në procesin integrues të Serbisë.

“Statusi i vendit kandidat sjell obligime nga të dyja palët dhe ne presim përparim, jo prapakthim”, tha Kos.

Nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Serbisë i janë ndarë 1.588 miliard euro për periudhën 2024-2027. Pagesat bëhen dy herë në vit dhe varen nga përmbushja e reformave të kërkuara.

Në janar, Serbia mori vetëm 61.1 milionë euro nga 112 milionët e planifikuara për këstin e parë, pasi kishte realizuar vetëm tri nga shtatë reformat e parapara. Deri tani, Beogradi ka përfituar gjithsej 167.59 milionë euro nga ky program i BE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *