Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se kanë mbetur edhe katër ditë afat për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor 2026.
Sipas KQZ-së, periudha për dorëzimin online të listave të kandidatëve ka nisur më 2 maj dhe përfundon më 12 maj 2026, ndërsa të gjitha subjektet politike – partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – obligohen që përmes platformës elektronike të KQZ-së dhe Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) të paraqesin listat për certifikim.
KQZ ka bërë të ditur gjithashtu se është mbyllur afati për partitë politike të regjistruara që të deklarojnë nëse do të marrin pjesë ose jo në zgjedhje dhe për njoftimin e koalicioneve.
Nga 53 partitë politike të regjistruara në Kosovë, 22 kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, 9 kanë deklaruar mospjesëmarrjen, ndërsa janë paraqitur edhe 3 koalicione zgjedhore.
Ndër partitë kryesore që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të garojë në koalicion me GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane. KQZ ka sqaruar se partitë politike të regjistruara konsiderohen automatikisht të certifikuara, ndërsa aplikimi për certifikim nga 2 deri më 10 maj vlen vetëm për subjektet e reja politike: koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.
Sipas institucionit zgjedhor, dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë konsiderohet një nga hapat më të rëndësishëm të procesit zgjedhor dhe kusht i domosdoshëm për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare.
