Të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë janë të obliguara që deri më 7 maj të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Ky obligim ligjor vlen për 53 partitë aktualisht të regjistruara, ndërsa nuk përfshin subjektet që synojnë të garojnë si nisma qytetare apo kandidatë të pavarur.
Brenda të njëjtit afat, partitë duhet të deklarojnë edhe nëse do të garojnë në kuadër të ndonjë koalicioni.
Sipas rregullave të KQZ-së, një koalicion mund të formohet nga së paku dy parti politike, ndërsa pas certifikimit, asnjë subjekt nuk mund të tërhiqet nga koalicioni deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve zgjedhore.
Ndërkohë, periudha zyrtare e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit 2026 do të zgjasë 10 ditë e 7 orë, duke filluar më 28 maj dhe duke përfunduar më 7 qershor në orën 06:59.
Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim pritet të hidhet më 16 maj 2026, në përputhje me kalendarin zgjedhor të miratuar nga KQZ.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 7 qershor 2026.
