Ka disa ditë që faqja zyrtare e Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI ka “ngrirë” aktivitetin e vet. Kjo ka shkaktuar një valë pyetjesh dhe shqetësimesh nga ndjekësit e saj: mos ka ndonjë kërcënim, ndonjë shantazh apo urdhër që ka detyruar këtë ndërprerje? Për të qenë korrekt me të gjithë, jemi të detyruar të japim një sqarim.
Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen disa lojëra të psita prej grupeve dhe individëve të ndryshëm që po punojnë nën “petkun e fshehtësisë”, me qëllim të largimit të Shaqir Fetait, për ta kapur BFI-në e për t’ia dhënë grushtin e fundit shkatërrimtar këtij Institucioni. Po ashtu, edhe brenda vetë Institucionit po vlojnë lojera të ngjashme, strategji për t’i dhënë “thikën pas shpine”, siç u provua më parë me ish-reiul ulemase H. Sulejman ef. Rexhepin. Pra, po ndodhin të njëjtat skema: intrigë, manipulim dhe plane të pakonceptueshme për rrënimin përfundimtar të BFI-së.
Publiku tashmë e di se aktiviteti i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI ka qenë jashtëzakonisht transparent. Çdo hap, çdo vendim është publikuar në faqen zyrtare, e cila më pas ka shërbyer si burim informacioni edhe për faqe të tjera. Megjithatë, duke njohur dhe nuhatur lojërat dhe individët që synojnë të përsërisin këto skenarë të dëmshëm, Lëvizja ka vendosur të “ngrijë” faqen e vet, për të mos krijuar opinion dhe për t’i penguar matrapazët që, duke shfrytëzuar transparencën tonë, kërkojnë të përfitojnë për interesat e tyre personale.
Kjo nuk do të thotë se nuk jemi të vëmendshëm ndaj aktiviteteve jashtë-institucionale dhe skandaloze brenda BFI-së. Përkundrazi, me këtë “heshtje momentale”, i inkurajojmë ata që deri tani kanë vepruar në errësirë: dilni në dritë, veproni hapur, le të dihet kush është ku, dhe cili po përpiqet të drejtojë ujin në mullirin e huaj. Transparenca është armiku më i madh i intrigave dhe skenarëve të fshehtë.
Levizja nuk tërhiqet nga misioni i saj. Heshtja është vetëm një instrument strategjik për të dalluar të sinqertët nga oportunistët, për të nxjerrë në pah ata që punojnë me qëllime të pastra dhe për t’i demaskuar ata që kërkojnë të shfrytëzojnë çdo hap reformues për interesat e tyre private.
Transparenca, ndershmëria dhe angazhimi publik nuk janë luks, por, janë detyrë morale dhe qytetare. Dhe Lëvizja Myslimane për Reforma qëndron e palëkundur në këtë rrugë.
/LMR në BFI/
