Ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Mirosllav Lajçak, është në mesin e emrave të përfshirë në dokumentet e reja gjyqësore në lidhje me Jeffrey Epstein, të publikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Skandalet përmes dosjes “Epstein” vazhdojnë të jenë në ballinat e shtypit ndërkombëtar, duke përfshirë dosje dhe dokumente nga hetimet federale amerikane mbi trafikimin e grave dhe vajzave të mitura nga Epstein dhe bashkëpunëtorja e tij, Ghislaine Maxwell.
Lajçak ka dhënë dorëheqje nga pozicioni i këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, shtet ky që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, për katër vjet ai mbajti postin e ndërmjetësuesit të dialogut Kosovë–Serbi, pa dhënë ndonjë rezultat konkret.
Sipas të dhënave të bëra publike, tashmë janë publikuar rreth 3 milionë faqe dokumente, 180 mijë fotografi dhe rreth 2 mijë video, ku Lajçak shihet se ka komunikuar në vazhdimësi me Epstein.
Dosjet tregojnë biseda shqetësuese mes Epstein dhe Lajçak, të cilat përfshijnë sugjerime dhe diskutime mbi takime private dhe plane me vajza të reja, por edhe për një takim të mundshëm me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Në njërën nga komunikimet thuhet: “Pse nuk më fton për këto lojëra? Do ta merrja vajzën ‘MI’.”
“E kush nuk do të donte?”, përgjigjet Epstein. “Mund t’i kesh të dyja, nuk jam posesiv. Edhe motrat e tyre”.
Biseda kishte vazhduar me kërkesën që Lajçak t’i kërkonte Lavrovit t’i siguronte një bluzë me Lavrovin dhe Vitaly Churkinin, ish-ambasador rus në OKB, i cili kishte vdekur vitin e kaluar.
Komunikimi vazhdon: “Ti merr bluzën. Pastaj merr vajzat”, shkruante Epstein, me të cilën Lajçak pajtohet.
Sipas dosjeve të publikuara, në këtë formë kishte vazhduar komunikimi mes Lajçak dhe Epstein.
Dosja voluminoze vë në pah edhe emrat e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, presidentit aktual Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin, i cili përmendet më shumë se një mijë herë, ish-princit britanik Andrew, Elon Musk, Bill Gates, Mick Jagger, Michael Jackson dhe shumë figurave të tjera të larta publike.
Ndërkohë, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar për herë të parë ndaj raportimeve në lidhje me dosjen “Epstein”. Jahjaga, përmes një reagimi publik, ka hedhur poshtë çdo pretendim për ndonjë komunikim apo takim me Epstein.
Në një nga email-et e vitit 2012 përmendet edhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli. Megjithatë, reagimi i Pacollit ka qenë i menjëhershëm, duke mohuar kategorikisht çdo lidhje me Epstein.
