Nëse dikush përpiqet të ta shesë sapunin për djathë, të paktën do të duhej të kujdesej që aroma të mos ia tradhtonte gënjeshtrën. Por kur gënjeshtra fillon të shpallet si reformë, atëherë fjala nuk mban më erë, ajo thjesht qelbet
Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog
Në Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, duket se jemi përballë një epoke të re, ku fjalët si “reformë”, “transparencë”, “ndryshim” apo “institucionalizim” përdoren për të mbuluar mungesën më të thellë të vizionit. Dhe në krye të këtij spektakli simbolik që përpiqet të bëjë “politikë me lajme”, qëndron Shaqir Fetai, njeriu që duket sikur u instalua në krye të Institucionit vetëm sa për ta kthyer në zyrë punësimi për të afërm, miq e militantë.
Kohët e fundit, vetë faqja zyrtare e BFI-së ka shpërndarë “lajmin” e madh të punësimit të tri referentëve! Po, tre! E për të mos e lënë “reformën” pa zhurmë, ky gjest është regjistruar në platformën zyrtare të institucionit, si të ishte një akt historik, një kthesë e madhe që do ta shpëtonte fenë, kombin dhe moralin. Në çdo vend normal, punësimi i tri nëpunësve administrativë është pjesë e rutinës, jo lajm. Por kur rutina zëvendëson vizionin, ajo kthehet në spektakël. Dhe ky spektakël i vogël, i ndërtuar mbi mungesën e çdo përmbajtjeje, është përpjekja më e freskët për të na shitur sapunin për djathë.
Çfarë reforme është kjo që matet me numrin e zyrtarëve të rinj? Çfarë transparence është ajo që fillon e mbaron me një status njoftimi në një faqe interneti? Ku janë planet e punës? Ku është programi zhvillimor i institucionit? Ku është përkushtimi ndaj arsimit fetar, ndaj të rinjve, ndaj unitetit shpirtëror të besimtarëve? Askund. Sepse në vend të planit kemi propagandë, në vend të strategjisë kemi skenografi, e në vend të lidershipit kemi improvizim. Dhe improvizimi, kur bëhet në emër të fesë dhe të besimit, është më i rrezikshëm se çdo mëkat.
Shaqir Fetai është shembulli i udhëheqësit që nuk udhëheq, por administrohet nga vetë mungesa e drejtimit. Ai nuk i jep drejtim institucionit, ai i jep zë zhurmës. Një lider që përpiqet të duket si “reformator” përmes dekorit të punësimeve, në të vërtetë po e zbulon boshllëkun e vet: mungesën e substancës. Një institucion që nuk ka strategji, që nuk ka program javor, mujor, vjetor, që nuk flet për vizion, por për emra, është një institucion që i ka humbur busullat. Dhe kur një institucion fetar humb busullën, atëherë besimi nuk shndërrohet në dritë, por në mjegull.
Në historinë e BFI-së, punësime ka pasur gjithmonë. Por kurrë askush nuk i ka trajtuar ato si ngjarje kombëtare, apo, institucionale. Sepse kuptohej se nuk është në thelb punësimi që e ngre institucionin, por qëllimi, plani, përkushtimi. Sot, kur këto mungojnë, çdo veprim sado i vogël zmadhohet në nivel grotesk. Një referent bëhet “shembull reforme”, një leje ndërtimi shpallet “arritje kombëtare”, një takim rutinë paraqitet si “hap historik”. Dhe ky është thelbi i absurdit institucional që po e gërryen BFI-në nga brenda: një realitet ku madhështia është zëvendësuar nga zhurma.
Në mungesë të ideve, shfaqet etja për publicitet. Në mungesë të përkushtimit, lind dëshira për ta shitur propagandën si “transparencë”. Në mungesë të moralit institucional, ngrihet moralizimi si fasadë. Dhe në qendër të gjithë kësaj, qëndron një njeri që duket se beson se pushteti vjen nga njoftimet, jo nga veprat. Ai që nuk ka as plan, as strategji, as vizion, por ka portalin e institucionit dhe e përdor si pasqyrë për vetë-admirim.
Por një institucion fetar nuk mbahet me fotografi e njoftime. Ai mbahet me përulësi, me drejtësi, me besim e me ndershmëri. Dhe kur këto mungojnë, çdo emërim, çdo reformë, çdo fjalë bëhet flluskë. Një institucion që shpall si arritje punësimin e tri referenteve, ndërkohë që hesht për varfërinë shpirtërore, për mungesën e mësimit fetar cilësor, për mungesën e moralit publik, nuk po bën reformë, por, po bën komedi tragjike. Një teatër ku rolet janë ndarë keq, ku aktori kryesor e ka harruar tekstin, por megjithatë kërkon duartrokitje.
E për këtë arsye, ky nuk është thjesht një problem i BFI-së. Është një simptomë më e gjerë e mënyrës se si regjimi aktual i BFI-se, në çdo formë të tij, kërkon të na bindë se po bën shumë, kur në të vërtetë nuk bën asgjë. E quajnë “reformë”, por është zhytje në mediokritet. E quajnë “strategji”, por është ndërtim improvizimesh. E quajnë “vizion”, por është qorrsokak i interesave personale. Kjo është formula e vjetër e çdo pushteti që ka frikë nga drita: të bëjë zhurmë që të mos dëgjohet heshtja e vet.
Prandaj, po, edhe punësimi i tri referenteve mund të jetë lajm, por jo për arsye që Shaqir Fetai mendon. Është lajm si simptomë e degradimit, si provë e zhytjes, si pasqyrë e mjerimit institucional që kërkon të vishet me petkun e “reformës”. Dhe për aq kohë sa sapuni vazhdon të na shitet për djathë, është detyra jonë të nuhasim, të provojmë, të dallojmë. Sepse ndryshe, do të na mbetet shija e hidhur e gënjeshtrës që nuk tretet, as në ujë, as në kohë.
