Grupi militant i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), i cili është shpallur i jashtëligjshëm, ka njoftuar se po tërhiqet nga Turqia si pjesë e një procesi çarmatimi.
PKK-ja, e cila ka zhvilluar një kryengritje kundër shtetit turk që nga viti 1984, vendosi në maj të çarmatoset dhe të shpërbëhet pas një thirrjeje për t’i dhënë fund luftës së saj të armatosur nga udhëheqësi i saj i burgosur Abdullah Oçalan.
Në korrik, grupi, i cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dogji disa armë në një akt simbolik të mirëbesimit.
Në një deklaratë nga Iraku verior së fundmi, PKK tha se kishte vendosur të tërhiqte të gjithë militantët e saj për të hedhur themelet e asaj që e quajti një “jetë të lirë, demokratike dhe vëllazërore”, ndërsa çonte proceset e çarmatimit dhe integrimit në një fazë tjetër.
Thuhet se ky veprim tregon angazhimin e PKK-së ndaj këtij procesi dhe se qeveria turke duhet të ndërmarrë hapa “ligjorë dhe politikë” pa vonesë.
Omer Celik, zëdhënës i Partisë AK në pushtet të presidentit Recep Tayyip Erdogan, tha se vendimi i PKK-së për tërheqje shënoi një rezultat konkret të qëllimit të qeverisë për një “Turqi pa terror” dhe do të ndihmonte në formësimin e “kornizës pozitive” që do të krijohet nga një komision parlamentar për pjesën ligjore të procesit.
Ndryshe, PKK-ja ka qenë e vendosur në Irakun verior, pasi është shtyrë përtej kufirit juglindor të Turqisë në vitet e fundit.
Ushtria turke kryen sulme të rregullta mbi bazat e PKK-së në rajon dhe ka krijuar disa poste ushtarake atje.
Me kalimin e viteve, qëllimet e PKK-së ndryshuan nga kërkimi i një shteti të pavarur në kërkimin e të drejtave më të mëdha kurde dhe autonomisë së kufizuar në Turqinë juglindore, kryesisht të banuar nga kurdët.
Turqia thotë se mbron të drejtat e kurdëve, por nuk do të lejojë lëvizje separatiste.
Fundi i konfliktit të Turqisë, anëtare e NATO-s, me PKK-në mund të ketë pasoja në të gjithë rajonin, përfshirë Sirinë fqinje, ku Shtetet e Bashkuara janë aleate me forcat kurde siriane, të cilat Ankaraja i konsideron si një degë të PKK-së.
