Në qytete dhe shtete të ndryshme të SHBA-së janë zhvilluar protesta të gjera kundër Presidentit Donald Trump, të organizuara nga grupi “No Kings” (“Pa Mbretër”), në kundërshtim me paradën e rrallë ushtarake që presidenti mbajti në Uashington DC.
Parada ushtarake, e cila përkoi edhe me ditëlindjen e Trump-it, kishte për qëllim të festonte 250-vjetorin e Ushtrisë Amerikane. Megjithatë, përballë kësaj ngjarjeje, mijëra qytetarë dolën në rrugë për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikave të presidentit, sidomos atyre të lidhura me emigracionin. Protestat, të cilat kishin filluar prej disa ditësh në Los Angeles dhe qytete të tjera, kulmuan me tubime të mëdha në New York, Filadelfia dhe Houston.
Në Filadelfia, qytetarët u mblodhën në Love Park për të mbrojtur vlerat demokratike. Karen Van Trieste, një infermiere 61-vjeçare, theksoi se shkurtimet e Trump-it në shëndetin publik ishin një ndër arsyet që e shtynë të protestonte.
Los Angeles i ishte ndër qendrat më të tensionuara, ku autoritetet dhe policia qëndronin në gatishmëri të lartë për shkak të përplasjesh të mëhershme, shpesh të dhunshme, për shkak të bastisjeve për deportim. Edhe pse Guvernatori Gavin Newsom kundërshtoi, presidenti dërgoi Gardën Kombëtare në qytet, duke nxitur zemërimin e autoriteteve lokale.
Jose Azetcla, anëtar i grupit të të drejtave civile “Brown Berets”, deklaroi për BBC-në se emigracioni ishte arsyeja kryesore që e nxori në rrugë. “Nuk është thjesht e ashpër, është e ligë. Familjet nuk duhet të ndahen,” u shpreh ai.
Në disa zona pati përplasje mes protestuesve dhe Gardës Kombëtare, me përdorimin e gazit lotsjellës për të shpërndarë turmat, por qindra të tjerë vazhduan të marshonin paqësisht.
Megjithë këto protesta të mëdha, sondazhet tregojnë mbështetje të konsiderueshme për politikat e Trump-it në lidhje me emigracionin. Një anketë e CBS/YouGov javën e kaluar tregoi se 54% e amerikanëve e mbështesin politikën e deportimit të emigrantëve ilegalë, ndërsa 46% janë kundër. Gjithashtu, 42% e qytetarëve shprehen se kjo politikë i bën ata të ndihen më të sigurt.
Emri “No Kings” u zgjodh për të kritikuar atë që e konsiderojnë si tejkalim të kompetencave presidenciale nga ana e Trump-it në mandatin e tij të dytë.
Ndërkohë, gjatë paradës, Trump përshëndeti mijëra ushtarë, tanke dhe automjete ushtarake që marshuan përpara tij. Në fjalën e tij të shkurtër ai theksoi: “Ushtarët tanë nuk dorëzohen kurrë. Luftojnë, luftojnë, luftojnë. Dhe fitojnë, fitojnë, fitojnë.”
Disa politikanë dhe ish-liderë ushtarakë e cilësuan paradën si një shfaqje të kushtueshme egoje, me kosto që varionte nga 25 deri në 45 milionë dollarë, sipas ushtrisë. Por për pjesëmarrësit, kjo ishte më shumë një nderim për shërbimin e ushtarakëve.
Melvin Graves, një veteran i Vietnamit, deklaroi se për të kjo paradë ishte një mundësi për të marrë vlerësimin që nuk e kishte pasur kur ishte kthyer nga lufta. “Kjo ka të bëjë me nderimin e këtyre burrave dhe grave që kanë shërbyer,” u shpreh ai.
Për shumë veteranë më të rinj, si Brian Angel, i cili shërbeu ndër vite në ushtri, përfshirë edhe në kufirin mes Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut, paradat e tilla janë të rralla dhe të nevojshme për të vlerësuar çdo degë të ushtrisë.
Megjithatë, disa ekspertë të sigurisë vunë në dukje kontrastin e ndjeshëm mes ushtarëve që marshonin në kryeqytet dhe trupave të vendosura për të menaxhuar protestat në Los Angeles. “Polarizimi mbi çështjen e emigracionit dhe përdorimi i trupave të armatosura ka hedhur një hije mbi paradën,” vuri në dukje ekspertja e sigurisë Barbara Starr.
Në Minesotë, disa protesta u anuluan pas zbulimit të fletushkave të demonstratave në makinën e një të dyshuari për vrasjen e një politikani dhe bashkëshortit të saj.
Guvernatori Tim Walz u bëri thirrje qytetarëve të shmangin grumbullimet deri në arrestimin e të dyshuarit, por megjithatë mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar.