Presidenti amerikan, Donald Trump e ka përsëritur kërcënimin e tij për sulme në infrastrukturën iraniane nëse Teherani nuk e hap Ngushticën e Hormuzit.
“E marta e 7 prillit do të jetë Dita e Termocentralit dhe Dita e Urës, të gjitha në një, në Iran. Diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë! Hapeni atë ngushticë të mallkuar, ju bastardë të çmendur, ose do të jetoni në ferr, do ta shihni”, ka shkruar Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.
Periudha e ultimatumeve të Trumpit ka ndryshuar disa herë në postimet e tij që i ka bërë së fundmi në rrjetet sociale, ose në intervistat e tij.
Në një intervistë më 5 prill për të përditshmen amerikane, Wall Street Journal, Trump ka thënë se Irani duhet ta hapë ngushticën brenda dy ditësh ose në të kundërtën “do të mbeten pa termocentralet dhe centralet tjera që i kanë në gjithë shtetin”. Fillimisht, Trump ka sinjalizuar se afati i fundit ishte 6 prilli.
Më vonë e ka bërë një postim tjetër: “E martë, ora 8:00 në mbrëmje sipas kohës lindore!”, pa ofruar më shumë hollësi.
Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, e ka akuzuar Uashingtonin përmes një postimi në rrjetet sociale më 5 prill se po bën “hapa të pamatur” në konflikt dhe që “i gjithë rajoni do të digjet”.
Mes tjerash, Trump ka thënë se SHBA-ja u ka dhënë armë protestuesve iranianë “përmes kurdëve”.
“Besoj se kurdët i kanë mbajtur ato”, ka shtuar presidenti amerikan.
Kjo ka qenë referencë për protestat që kanë shpërthyer në fund të dhjetorit në Iran, për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike, para se të zgjeroheshin në protesta kundër regjimit në gjithë shtetin.
