Kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka cilësuar konstruktiv takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se tri javët e mbetura do të shfrytëzohen për përpjekje drejt gjetjes së një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit të ri. Megjithatë, ai ka pranuar se nuk ka lëvizje të reja, por ka thënë se me takime të tilla mund të arrihet deri te një marrëveshje.
“Çështja kryesore që u diskutua, por jo edhe e vetmja, ishte fakti që na kanë mbetur edhe tri javë deri te zgjedhja e presidentit dhe për këtë duhet t’i maksimizojmë përpjekjet. Takimi shkoi në një atmosferë konstruktive dhe dashamirëse. Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Atmosfera konstruktive dhe dashamirësia për t’i shmangur zgjedhjet e reja më bën optimist për këto tri javët e mbetura. Uroj që të mos i shfrytëzojmë deri në ditën apo orën e fundit, siç është bërë zakon”, tha Kurti pas takimit me Abdixhikun.
Ai ka theksuar se zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje për sigurimin e 80 deputetëve për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Është e vështirë të paramendohet një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat dhe programet tona me po të njëjtat zotime, të kërkojmë votën e qytetarëve për një rezultat që e dimë se nuk mund të jetë shumë ndryshe”, shtoi Kurti.
Ai e ka vlerësuar si sfidë tejet të madhe që një parti e vetme të ketë 80 deputetë dhe ta zgjedhë e vetme presidentin.
Kurti, ashtu sikurse Abdixhiku, nuk ka dhënë detaje nga takimi.
“Ne jemi udhëheqës të subjekteve demokratike dhe jemi transparentë sa i përket procesit, por duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve. Në momentin kur bisedimet sjellin rezultat konkret, atëherë do të mund të përgjigjemi konkretisht për të arriturat. Por, përderisa ky nuk është rasti, nuk mund të flasim për emra konkret, të cilët nuk kanë rezultuar me një marrëveshje mes LVV-së e LDK-së”, theksoi Kurti.
Ai tha se vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë se për një emër të përveçëm nevojitet një shumicë prej 84 apo 85 deputetësh, e jo të synohen 80 apo 81 deputetë.
“Vetëm një shumicë prej 84 e 85 deputetëve do të na bënte komodë. Edhe më tutje besoj se numri 80 apo 81 nuk është caku ynë për të ecur përpara; është më shumë se aq. Duhet të synojmë deri në ditën e fundit jo 81, por 84 apo 85 deputetë”, tha Kurti.
Ai tha se do të përpiqet të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, pasi sipas tij presidenti nuk do të jetë i një e as i dy partive, por shprehje e unitetit të popullit.
Megjithatë, ka thënë se shpreson që qasja e PDK-së të ndryshojë.
“PDK asnjëherë nuk ka nxjerrë asnjë emër para nesh.Ajo vetëm ka kërkuar që ne t’i besojmë në mënyrë absolute dhe të verbër. Pra, absolute që dy kandidatët të jenë të PDK-së dhe të verbër, që të mos na e tregojnë emrin paraprakisht. Si subjekt demokratik që jemi, me statutin e LVV-s, me mua si kryetar të saj, kjo e bën të pamundur marrëveshjen, prandaj uroj që në komunikimet dhe takimet në vijim me kryetarin e PDK-së, kjo të ndryshojë sepse nuk mund të ketë marrëveshje politike për presidentin e ardhshëm përderisa nuk e thua asnjë asnjëherë askujt asnjë emër”, tha Kurti.
