Kreu i ushtrisë së Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskyi, ka thënë se trupat e tij kanë ndaluar përparimet ruse në rajonin kufitar verilindor të Sumy-t.
Gjatë një vizite në front të enjten, Syrskyi tha se vija e luftimeve ishte “stabilizuar” dhe se ofensiva ruse e verës në zonë ishte “mbytur”. Megjithatë, Syrskyi shtoi gjithashtu se ai kishte shkuar personalisht për të kontrolluar fortifikimet në rajon dhe se nevojiteshin urgjentisht më shumë, raprotn BBCNews.
Komentet e Syrsky-t mbi sukseset e trupave ukrainase në Sumy mbështesin deklaratat e fundit nga zyrtarët ukrainas se presioni i Rusisë mbi rajonin po binte.
Megjithatë, situata mbeti “e paqëndrueshme”, tha zëdhënësi i Rojës Kufitare Andriy Demchenko më parë këtë javë.
Sumy kufizohet me rajonin rus të Kurskut, pjesë të të cilit u kapën dhe u pushtuan vitin e kaluar nga forcat ukrainase në një ofensivë të papritur përpara se të dëboheshin pothuajse plotësisht muaj më vonë.
Inkursioni i Kurskut ishte një turp për Rusinë dhe në prill presidenti Putin njoftoi një plan për të krijuar “zona tampon sigurie” përgjatë kufirit për të ofruar “mbështetje shtesë” për zonat në Rusi që kufizohen me rajonet Kharkiv, Sumy dhe Chernihiv të Ukrainës.
Moska ka vazhduar të shtyjë përpara zonën e Sumy me përpjekje të përtëritura që atëherë. Në fund të majit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se 50,000 nga trupat të Rusisë ishin përqendruar përgjatë kufirit dhe po planifikonin të krijonin një zonë tampon 10 km.
Syrskyi përmes një deklarate të enjten bëri të ditur se “fortifikime shtesë, krijimi i ‘zonave të vrasjes’, ndërtimi i korridoreve anti-dronë për të mbrojtur ushtarët tanë dhe për të siguruar logjistikë më të besueshme për trupat tona janë detyra të dukshme që po kryhen”, tha ai.
Megjithatë, Syrskyi pranoi se këto përmirësime duhej të bëheshin më mirë dhe më me efikasitet. Në ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës, mungesa e fortifikimeve në pjesë të caktuara të Ukrainës i lejoi Moskës të bënte përparime në të gjithë vendin – nga kufijtë e saj veriorë dhe nga gadishulli i aneksuar ilegalisht i Krimesë.