Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë hedhur poshtë kërkesën e përbashkët të ekipeve mbrojtëse në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle, sqaroi se kjo kërkesë kishte të bënte me apelimin e një vendimi të mëparshëm të trupit gjykues, i cili kishte pranuar si prova disa dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
“Në lidhje me autenticitetin prima facie të dokumenteve, Trupi Gjykues rikujtoi në hollësi mënyrën se si kishte vlerësuar secilin prej tyre, duke marrë parasysh një sërë treguesish relevantë si nënshkrimet, vulat, si dhe faktin që disa nga këto dokumente ishin sekuestruar nga zoti Krasniqi”, u shpreh Doyle në një konferencë për media.
Ai shtoi gjithashtu se kundërshtimet e mbrojtjes, sipas të cilave Prokuroria kishte dorëzuar dokumentet në fund të paraqitjes së provave, nuk qëndrojnë.
Sipas tij, Trupi Gjykues theksoi se mbrojtja kishte qenë e informuar që në fillim të procesit për qëllimin e Prokurorisë për të përdorur këto materiale, përmes listës paraprake të provave të paraqitur para thirrjes së dëshmitarëve.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po përballen me aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të pretenduara të jenë kryer gjatë periudhës së luftës në Kosovë, midis viteve 1998 dhe 1999.
Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe procesi ndaj tyre është një ndër më të rëndësishmit që zhvillohet në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Prokuroria e Specializuar i akuzon për ndjekje politike, ndalim arbitrar, tortura dhe vrasje të paligjshme të personave që dyshohej se ishin kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Vetë të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë dhe e kanë konsideruar procesin të motivuar politikisht.