“Nga syri vëzhgues”
Shaqir Fetai nuk e pranon që zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka ndërmarrë një hap shumë të rëndësishëm: miratimin e një ligji të posaçëm për akreditimin e shkollave të mesme fetare të themeluara nga komunitetet fetare të vendit. Ai nuk dëshiron që meritat për këtë fitore të madhe t’i shkojnë Qeverisë aktuale dhe veçanërisht koalicionit VLEN. Prandaj betohet në Allah se këtë akreditim ia ka premtuar kryeministri Mickovski
Nga Blerim Hoxha
Për rreth katër dekada, Medreseja Isa Beu ka qëndruar si një institucion i rëndësishëm arsimor për komunitetin mysliman në Maqedoninë e Veriut – një vatër dijeje, identiteti dhe besimi për qindra të rinj që, përkundër sfidave, kanë zgjedhur rrugën e dijes islame si themel të formimit të tyre. Por kjo përpjekje e përkushtuar është përbuzur vazhdimisht nga politika e ditës, e cila në vend që të mbrojë dhe përkrahë institucionet e këtij komuniteti, i ka përdorur ato si objekte manipulimi elektoral dhe si mjete për të shpërblyer klientelën e saj të bindur.
Pikërisht një nga shembujt më flagrant të kësaj talljeje me dinjitetin e besimtarëve dhe me ardhmërinë e brezave të rinj është ai që ndodhi me të ashtuquajturin “vendim qeveritar për akreditimin” e Medresesë Isa Beu. Ky vendim, i nënshkruar nga një qeveri teknike, me Talat Xhaferin në krye dhe me përkrahjen publike të Shaqir Fetait, u propagandua si një sukses i madh për komunitetin mysliman. Por shpejt doli në shesh e vërteta e hidhur: nuk kishte asnjë bazë ligjore, asnjë akreditim real, asnjë zgjidhje. Ishte vetëm një mashtrim ordiner, një lëvizje për të blerë vota dhe për të ushqyer iluzione boshe.
Pasojat ishin të dhimbshme dhe të menjëhershme: nxënësit e Medresesë Isa Beu mbetën jashtë çdo mundësie për t’u regjistruar në fakultetet shtetërore – madje edhe jashtë Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, i cili në mënyrë absurde refuzon të pranojë studentët që kanë kryer pikërisht një shkollë të mesme fetare islame në vend. Kjo është tragjedia që lind nga manipulimi me institucione jetike, nga keqpërdorimi i besimit të njerëzve dhe nga kapja e Bashkësisë Fetare Islame nga qarqe të errëta politike.
Sepse është e qartë për këdo që ndjek zhvillimet në këtë fushë: Shaqir Fetai nuk është një lider fetar i zgjedhur me integritet dhe pjekuri institucionale. Ai u instalua në krye të BFI-së nga struktura të dyshimta dhe me bekimin e plotë të ish-qeverisë LSDM-BDI, jo për ta reformuar komunitetin, por për ta kthyer atë në një zgjatim të interesave të pushtetit. Ideja ishte që BFI-ja të shndërrohej në një “seli alternative” të partive qeverisëse të asaj kohe – një front paralel për të prodhuar ndikim politik mbi besimtarët, duke shkelur mbi autonominë fetare dhe mbi vetë parimet islame.
Por skema dështoi. Partitë shqiptare të bashkuara në koalicionin VLEN e mundën BDI-në dhe e çuan atë në opozitë, duke tronditur themelet e aleancës që kishte mbajtur Shaqir Fetain në pushtet. Që nga ajo ditë, Fetai e ka ndier luhatjen e kolltukut të tij të uzurpuar me pa të drejtë, ndaj edhe ka filluar një ofensivë të re propagandistike për të ruajtur pozitat e tij. Dhe vendimi i parë që e zbuloi plotësisht talljen me shqiptarët e myslimanët e vendit ishte pikërisht ai që për një moment u shit si “akreditim” i Medresesë – e që sot është i anuluar zyrtarisht nga qeveria e re.
Në vend të mashtrimeve, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka ndërmarrë një hap shumë më të rëndësishëm: miratimin e një ligji të posaçëm për akreditimin e shkollave të mesme fetare të themeluara nga komunitetet fetare të vendit. Ky është një akt serioz, që nuk varet nga vullneti politik momental apo nga vendime që mund të anulohen brenda ditës, por është një kornizë ligjore e qëndrueshme, e cila garanton barazi dhe dinjitet për të gjitha komunitetet dhe institucionet fetare të vendit. Një zgjidhje përjetësisht e mbrojtur nga kapricot e politikës ditore.
Dhe pikërisht këtë nuk e duron dot Shaqir Fetai. Ai nuk dëshiron që meritat për këtë fitore të madhe t’i shkojnë Qeverisë aktuale dhe veçanërisht koalicionit VLEN, që po e zgjidh përfundimisht një çështje të pazgjidhur për më shumë se katër dekada. Prandaj ka nisur të përgatisë opinionin me një tjetër mashtrim: se gjoja zgjidhja po vjen si rezultat i një marrëveshjeje të tij personale me Kristijan Mickovskin, kryeministrin aktual. Sipas tij, “shqiptarët aktualë nuk mund ta zgjidhin problemin”, ndërsa Mickovski – një politikan që nuk njihet për ndonjë ndjeshmëri ndaj çështjeve fetare të komunitetit mysliman – është shpresa e vetme e tij.
Kjo është jo vetëm e pavërtetë, por edhe fyese. Është një përpjekje e dëshpëruar për ta përvetësuar një meritë që nuk i takon dhe për të përjashtuar nga skena faktorët që realisht po e bëjnë ndryshimin. Por qeveria duhet ta kuptojë qartë: ky sukses nuk duhet t’i atribuohen Shaqir Fetait – përkundrazi, duhet të jetë momenti i një reflektimi serioz për pozicionin e tij dhe për atë çka përfaqëson ai. Akreditimi i Medresesë duhet t’i adresohet atyre që vërtet e kanë luftuar për të, që janë falënderues për përkrahjen institucionale, dhe që janë të gatshëm ta çojnë përpara me përgjegjësi këtë mision fisnik. Sepse vetëm kështu do të kemi një fitore që nuk është thjesht formale, por e ndershme, e qëndrueshme dhe me kuptim.
Për të gjitha këto arsye, është koha që komuniteti mysliman, intelektualët e pavarur dhe vetë nxënësit e Medresesë të ngrihen dhe të kërkojnë llogari. Jo vetëm për mashtrimin e së kaluarës, por edhe për sabotimin e tanishëm. Akreditimi i Medresesë nuk është çështje personale e Shaqir Fetait, as objekt pazari për ndonjë votë apo privilegj. Është e drejtë legjitime që duhet të garantohet me ligj dhe me dinjitet, ashtu siç po angazhohet z. Izet Mexhiti, e jo me turp dhe poshtërim siç po e do Shaqir Fetai. Dhe kjo e drejtë legjitime nuk do të vijë nga Mickovski, por nga shqiptarët që, pavarësisht gjithçkaje, ende besojnë në drejtësi dhe barazi dhe fuqishëm angazhohen për këto parime.