Morali nuk është meme në Facebook, o Shaqir Fetai. Morali është akt. Morali është zë kur të tjerët heshtin. Ju zgjodhët të heshtni. Dhe kjo është e pafalshme
Në një kohë kur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut po përballen me një valë të re të racizmit institucional dhe thirrjeve që nuk dallojnë shumë nga ato të regjimeve fashiste, si “vdekje shqiptarëve” dhe “dhoma gazi për shqiptarët”, kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai, vendos të na shpërndajë një “meme” për moralin dhe vlerat shpirtërore.
Pyesim me të drejtë:
Cili moral? Cilat vlera? Ku ishit ju, o mahluk, kur shqiptarëve u kërcënoheshin jetët në mes të Shkupit dhe Kumanovës me fjalor të çjerrë racist? Ato thirrje nuk lindën rastësisht nga rruga. Ato janë produkt i një diskursi të institucionalizuar, i mbështetur, i nxitur dhe i toleruar nga segmente të pushtetit që ende e shohin gjuhën shqipe si kërcënim dhe qytetarin shqiptar si pengesë për “unitetin shtetëror”.
Në një klimë të tillë tensioni e diskriminimi të hapur, Shaqir Fetai nuk e ndjen për detyrë të ngrejë zërin. Nuk dënon as thirrjet raciste, as mungesën e reagimit institucional. Nuk i kërkon llogari askujt. Në vend të kësaj, zgjedh të shpërndajë sentenca të thata si:
“Mos harro! Mbështetja në moralin e lartë dhe vlerat shpirtërore, është ajo që i jep kuptim çdo sfere të jetës…”
Ky lloj “morali” nuk është as më pak e as më shumë sesa një kapitullim moral. Një mbulesë e bukur për një heshtje që bën jehonë në dhomat e errëta ku vendoset heshtazi fati i shqiptarëve.
Kur nuk ke guxim të dëshmosh për të vërtetën në momente krizash, kur nuk ke kurajo të jesh zëri i drejtësisë, çfarë kuptimi kanë predikimet tua për “shërbim ndaj njerëzimit”? Apo njerëzimi nuk përfshin shqiptarët që ofendohen e kërcënohen në tokën e tyre?
Mos të harrojmë: Fetai nuk është një figurë që ra nga qielli. Ai u vu në krye të BFI-së falë manovrave politike, përmes mbështetjes direkte nga partia shqiptare në pushtet e udhëhequr nga Talat Xhaferi. Sot, kur kjo parti u përjashtua nga qeverisja, ai hesht për vendimet që dikur i brohoriste dhe bën elozhe për ata që e larguan nga pushteti mikun e tij.
Kjo nuk është as moral, as vlerë shpirtërore. Kjo është hipokrizi politike me petk fetar.
Kur nuk ke as forcën të qëndrosh në mbrojtje të njerëzve të tu, nuk ke as të drejtën morale t’u mbash leksione për etikë, spiritualitet apo shërbim ndaj njerëzimit. Populli e njeh shumë mirë diferencën mes burrit të drejtë dhe figurës së veshur me autoritet që hesht për interesa personale.
Morali nuk është meme në Facebook, o Shaqir Fetai. Morali është akt. Morali është zë kur të tjerët heshtin. Ju zgjodhët të heshtni. Dhe kjo është e pafalshme. Kishën Ortodokse Maqedonase e urove për suksesin e saj ne akreditimin e Bogosllovisë! Dil tash, kërko nga Kisha që ta dënojnë çdo thirrje antishqiptare! Apo ti ka kohë që je pa identitet kombëtar shqiptar, madje që nga koha kur pranove të pagëzohesh ORAO nga UDB-ja serbe./1kliklarg/