Trump propozon revokimin e licencave të ABC dhe NBC: Më japin 97 për qind të historive të këqija

Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi dy rrjetet transmetuese në një seri postimesh në platformën e tij Truth Social, duke pretenduar: “ABC & NBC fake news, dy nga rrjetet më të këqija dhe më të anshme në histori, më japin 97 për qind raportime të këqija”, pavarësisht asaj që ai pretendoi se ishte 8 muajshi i parë i suksesshëm në detyrë.

Presidenti më pas sugjeroi se ky mbulim i supozuar negativ i tij do të thotë që dy rrjetet “janë thjesht një krah i Partisë Demokratike dhe, se duhet t’u revokohen licencat nga FCC”, transmeton Telegrafi.

Trump tha se është plotësisht në favor të një revokimi të tillë, pasi ai përsëri akuzoi rrjetet se janë “të anshme dhe të pavërteta, një kërcënim real për demokracinë tonë”, pa përmendur asnjë provë.

Në një postim pasues, presidenti përsëriti kërcënimin për revokim të licencës, përpara se të sugjeronte se “të paktën”, ata duhet të detyrohen të “paguajnë shumë” për spektrin e tyre të licencuar të transmetimit, një ide e mbështetur më parë nga miliarderi dhe ish-aleati i Trump, Elon Musk.

Trump tregoi se një tarifë e tillë, e cila aktualisht nuk u vendoset rrjeteve që përdorin valët e radios, mund të jetë “miliona dollarë në vit”. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *