Brigadat Al-Quds, krahu i armatosur i Xhihadit Islamik, publikuan një video të një pengu izraelit, Rom Braslavsky, i cili po mbahet në Rripin e Gazës.
21-vjeçari Braslaveky kërkon lirimin e tij dhe denoncon mungesën e komunikimit nga qeveria izraelite.
Në video ai shpreh zhgënjimin e tij me premtimet e liderëve izraelitë, duke theksuar ankthin e tij për situatën në të cilën ndodhet.
Ai akuzon kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidentin amerikan, Donald Trump se nuk i kanë përmbushur premtimet e tyre dhe bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij.
“Ti, Netanyahu, je ulur i sigurt në shtëpinë tënde, ndërsa unë jam i bllokuar këtu”, thotë ai, duke u bërë thirrje liderëve të ndërmarrin veprime. Në video ai shpreh edhe dëshpërimin e tij për kushtet e vazhdueshme në Gaza, ndërsa përshkruan bombardimet e përditshme dhe ndjenjën se bomba e radhës mund të bjerë mbi të.
Nëna e tij, Tami Braslavsky, tha se ishte e tronditur kur mësoi për videon përmes mediave dhe denoncoi mungesën e komunikimit nga qeveria izraelite.
Vëllai i Romit, Amit, shprehu pakënaqësinë e tij për indiferencën e qeverisë, duke denoncuar “braktisjen” dhe “sjelljen e turpshme”.