Thirrjet raciste anti-shqiptare në Kumanovë, reagime të ashpra nga Kosova, Shqipëria e diaspora

Një incident i rëndë me thirrje raciste ndaj shqiptarëve është regjistruar të shtunën në mbrëmje (2 gusht) në Sallën e Sporteve në Kumanovë, gjatë ndeshjes kualifikuese të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

Thirrjet, të cilat dyshohet se janë bërë nga tifo grupi “Kumani”, përfshinin fraza si: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri Maqedoni nuk do të zhduket. Maqedoni, e pastër”.

Thirrjet u dëgjuan në prani të disa zyrtarëve të lartë shtetërorë, duke përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrin Ivan Stoillkoviq, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski dhe kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

E gjithë skena është transmetuar drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) në YouTube.

Këto thirrje shkaktuan një valë reagimesh, veçanërisht pasi ndeshja u zhvillua në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Zëvendëskryeministri i Parë në Qeverinë e Maqedonisë së veriut, Izet Mexhiti, dënoi ashpër thirrjet, duke i cilësuar si një sulm ndaj bashkëjetesës dhe barazisë që e bën Maqedoninë e Veriut unike. Ai bëri thirrje për zbardhjen e rastit dhe parandalimin e përsëritjes së tyre.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se incidenti nuk ishte vetëm një turp për sportin, por një goditje ndaj idesë së barazisë. Ai e cilësoi Maqedoninë e Veriut si një mozaik kulturor që duhet ndërtuar me frymë të përbashkët.

Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, theksoi se thirrjet ofenduese ndaj shqiptarëve ndodhën në prani të kryeministrit Mickovski dhe zyrtarëve të tjerë, duke kërkuar një reagim të fortë nga ana e tyre.

BDI kërkoi përgjegjësi politike dhe dorëheqjen e dy zëvendësministrave nga radhët e VLEN-it, Astrit Iseni dhe Safije Sadiki Shaini. Ajo gjithashtu u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve shqiptarë në qeveri që të distancohen publikisht nga ky akt.

Thirrjet raciste janë dënuar edhe nga subjekte të tjera politike, të cilat kanë kërkuar zbardhjen e shpejtë të rastit dhe marrjen e masave nga autoritetet kompetente.

Reagime pati edhe nga Kosova.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas thirrjeve antishqiptare që u dëgjuan gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në Kumanovë. Ajo i ka cilësuar këto thirrje si të papranueshme dhe si cenim të drejtpërdrejtë të frymës së bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.

“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, thekson Osmani në deklaratën e saj publike.

Presidentja ka shprehur shqetësim edhe për mungesën e reagimit nga institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Sipas saj, heshtja e zyrtarëve të lartë në Shkup i jep hapësirë retorikës së urrejtjes dhe minon tolerancën ndëretnike – një vlerë kyçe për vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Sporti duhet të jetë mjet bashkimi, jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen,” tha ajo.

Osmani u ka bërë thirrje autoriteteve në Maqedoninë e Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj organizatorëve të këtyre thirrjeve dhe të dënojnë çdo formë të gjuhës së urrejtjes, për të mbrojtur parimet e tolerancës dhe barazisë.

“Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë”, përfundoi Presidentja Osmani.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj thirrjeve “vdekje për shqiptarët” dhe “dhoma gazi për shqiptarët”, të bëra në një aktivitet sportiv në Maqedoninë e Veriut, në prani të Kryeministrit Mickoski dhe delegacionit qeveritar.

Ai i cilësoi këto thirrje si të rënda, të papranueshme dhe kundër vlerave demokratike. Krasniqi theksoi se shqiptarët janë komb shtetformues dhe partner kyç në rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.

“Heshtja përballë gjuhës fashiste është qëndrim”, tha ai, duke kërkuar që qeveria e Maqedonisë së Veriut të distancohet qartë nga ekstremizmi.

Krasniqi kritikoi edhe Kryeministrin në detyrë të Kosovës, duke e quajtur “kumbara të kësaj qeverie në Shkup”, dhe e akuzoi për heshtje përballë kësaj klime anti-shqiptare.

“Shqiptarët nuk do të lejojnë askënd t’i nëpërkëmbë më”, përfundon reagimi.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Dorasa Kica-Xhelili e cilësoi atë që ndodhi në stadium si më shumë se thjesht brohoritje.

“Ato që u dëgjuan në stadiumin e Shkupit s’ishin thjesht brohoritje, por zhurma primitive e një mendësie të kalbur. E megjithatë, më e neveritshme se kjo zhurmë është heshtja që e shoqëroi”, ka shkruar deputetja.

Sipas saj, çdo akt që nxit urrejtje meriton reagim të menjëhershëm, veçanërisht nga përfaqësuesit shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

“Çdo akt nxitjeje urrejtjeje meriton reagim të menjëhershëm, por mbi të gjitha, nga ata që sot përfaqësojnë shqiptarët në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Heshtja nuk është maturi, është bashkëfajësi. Të jesh në qeveri dhe të mos reagosh kur fyhet identiteti yt, nuk është as politikë, as pragmatizëm – është dorëzim”, theksoi Kica-Xhelili.

Ajo përfundoi me një pyetje të drejtpërdrejtë: “Nuk e di kush prisni të jetë për ne shqiptarët kur nuk jemi për veten?”

Edhe deputeti dhe zyrtari i lartë i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar me tone të forta ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për heshtje të qëllimshme përballë valës së urrejtjes raciste ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një statusi në Facebook, Haradinaj thotë se “ndryshimi” që Kurti pretendoi ta sillte në këtë vend po shoqërohet me “klithma shurdhuese” të urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Ai rendit disa nga sloganet që, sipas tij, janë dëgjuar së fundmi:

“Dhoma gazi për shqiptarët”
“Shqiptari i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”
“Maqedoni e pastër (pa shqiptarë)”
“Shqiptarët e mallkuar ta dijnë se emri Maqedoni nuk zhduket”

Haradinaj e akuzon Kurtin për heshtje dhe mungesë reagimi, duke e quajtur atë “kumbarë të koalicionit qeverisës në Maqedoni të Veriut”.

Reagime të forta ka pasur edhe nga Shqipëria zyrtare.

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali e quajti ngjarjen “të papranueshme” dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë kërkon një angazhim të vazhdueshëm.

Spiropali theksoi se gjuha e urrejtjes, e cila nxit dhunën dhe racizmin, nuk duhet të ketë vend në asnjë hapësirë publike, e sidomos në sport. Ajo shtoi se sporti, në thelb të tij, promovon frymën e bashkimit, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë.

Kryeparlamentarja vlerësoi reagimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, por kërkoi një reagim edhe më të fortë nga zyrtarët më të lartë të vendit.

“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë. Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit. Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik”, theksoi Spiropali.

Spiropali shtoi se bashkëjetesa ndëretnike është një vlerë e përbashkët në rrugën evropiane, e cila duhet ruajtur me përgjegjësi.

Ajo bëri thirrje që sjellja korrekte, si në fusha dhe tribuna, ashtu edhe në institucione, të shërbejë si shembull për vizionin e përbashkët për të ardhmen.

“Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën evropiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit. Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje”, shkruan Spiropali.

Edhe Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka reaguar ashpër pas thirrjeve skandaloze anti-shqiptare të dëgjuara gjatë një ndeshjeje në Maqedoninë e Veriut, ku u bë thirrje që shqiptarët të futen në “dhoma gazi”.

Në reagimin e tyre, AARC thekson se kjo gjuhë urrejtjeje nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe shumëetnike, duke kujtuar se këto thirrje rikujtojnë kapitujt më të errët të historisë europiane.

Organizata shpreh indinjatën edhe për heshtjen e udhëheqësve shtetërorë, përfshirë kryeministrin, të cilët ishin prezentë por nuk reaguan. “Udhëheqja matet me guxim moral, jo me heshtje,” thekson AARC.

Sipas tyre, shqiptarët janë pjesë përbërëse e këtij vendi dhe çdo përpjekje për nxitje urrejtjeje duhet të ndiqet me pasoja ligjore dhe institucionale.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka ndërmarrë disa veprime për hetimin e skandalit në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë të shtunën.

“Prokuroria Kryesore Publike e Kumanovës po vazhdon dhe ka lëshuar disa urdhra dhe udhëzime për Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Kumanovës për të hetuar elementët e një vepre penale në thirrjet që përmbanin gjuhë urrejtjeje nga individë aktualisht të panjohur në ndeshjen e djeshme të basketbollit midis ekipeve kombëtare të Maqedonisë dhe Rumanisë. Është lëshuar gjithashtu një urdhër për të siguruar pamjet e kamerave të mbikëqyrjes me qëllim identifikimin e autorëve të mundshëm”, njoftoi Prokuroria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *