Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mund të mos jetë në gjendje të përmbushë premtimin e tij gjatë fushatës elektorale për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Nuk e di. Nuk mund t’ju them nëse do të ndodhë apo jo”, u tha ai gazetarëve nga Air Force One të premten kur u pyet nëse ishte i bindur se mund t’i jepte fund armiqësive.
Në të njëjtën kohë, ai këmbënguli që përfundimi i luftës mbetet një përparësi, duke vënë në dukje: “Po. Do të doja ta shihja të ndodhte”.
Kujtojmë se gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump ishte zotuar të ndalonte luftën “që nga dita e parë” e mandatit të tij, por kohët e fundit e tërhoqi atë deklaratë në një intervistë me revistën TIME, duke e përshkruar atë si “një ekzagjerim”.
“Ne ndihmuam shumë vende. Rasti i Ukrainës është një rast i Biden. Nuk është një rast i Trump. Po përpiqem ta përfundoj”.
Komunikimi me Putinin – Zelensky
Gjatë javës, Trump foli në telefon si me Presidentin rus Vladimir Putin ashtu edhe me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Siç tha ai, biseda e tij me Putinin nuk dha asnjë rezultat: “Nuk pati përparim. Ai dëshiron të shkojë deri në fund, të vazhdojë të vrasë njerëz. Kjo nuk është mirë”.
Ndërsa biseda e tij me Zelenskyn dukej më produktive. Presidenti ukrainas tha se diskutuan mbi mbrojtjen ajrore, prodhimin e përbashkët të sistemeve të armëve dhe investimet e ndërsjella.
Trump e quajti bisedën me Zelenskyn “shumë të mirë” dhe “strategjike”. Ndërkohë, Pentagoni këtë javë ngriu disa dërgesa armësh në Ukrainë, duke përmendur shqetësime në lidhje me rezervat e ulëta të municioneve në SHBA.
Megjithatë, Trump pohoi se ndihma amerikane vazhdon: “Ne kemi dhënë shumë armë. Por ne vazhdojmë të japim armë dhe të punojmë me ta për t’i ndihmuar.”