Sot përfundon masa e përkohshme për konstituimin e Kuvendit

Sot përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ndaloi deputetët e legjislaturës së nëntë të ndërmarrin veprime për konstituimin e Kuvendit. Kjo masë ishte vendosur pas dështimit për të përmbushur afatin 30-ditor të përcaktuar nga Kushtetuesja më 26 qershor.

Pas skadimit të kësaj mase, pritet aktgjykimi i ri i Kushtetueses, i cili do të përcaktojë rrugën për formimin e institucioneve të reja.

Ndërkohë, ambasadat e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë reaguar ndaj situatës, duke kërkuar krijimin e institucioneve dhe respektimin e vendimit të Kushtetueses.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do të respektojë vendimin e ri të gjykatës, pavarësisht përmbajtjes së tij.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr një kërkesë për sqarim në Kushtetuese lidhur me afatin për konstituim, duke shprehur shqetësime për përfshirjen e gjyqtarit Radomir Llaban në shqyrtimin e çështjes. Ajo ka ngritur dyshime për integritetin e tij, duke e cilësuar si një rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Osmani ka ftuar deputetët që të kërkojnë vetë zgjidhje nga Kushtetuesja, në mënyrë që gjyqtari Llaban të mos jetë i përfshirë në shqyrtimin e çështjeve të konstituimit.

Gjykata Kushtetuese e vendosi masën e përkohshme pasi tha se po shqyrton dy kërkesat e dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

PDK i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese në fillim të korrikut, duke kundërshtuar procedurat e ndjekura nga LVV për propozimin dhe votimin e Komisionit për votim të fshehtë, si dhe për ndërprerjen e seancës konstituive pas mosmiratimit të këtij komisioni.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nga ana tjetër, ka kërkuar interpretim kushtetues për vazhdimin e seancës pas datës 29 qershor, duke e cilësuar atë si në kundërshtim me aktgjykimin e 26 qershorit dhe Kushtetutën.

Kosova vazhdon të jetë në krizë institucionale, më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, me 54 përpjekje të dështuara për konstituimin e Kuvendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *