Shaqir Fetai paguan – veç sigurojani rehatinë e amshueshme

Shaqir Fetai duhet ta dijë që tashmë të keqes ia ka hapur shumë fort derën duke ia humbur edhe çelësin për ta mbyllur atë derë. Tani, nëpër atë derë do të ketë shumë lëvizje, hyrje-dalje, të cilat do ta çorientojnë Shaqir Fetain deri në çmendi totale

Nga Valbona Rrustemi

Kuluareve të Bashkësisë Fetare Islame në RMV po flitet se tashmë ka filluar edhe përfolja e arsyes se pse Shaqir Fetai, instalacioni më i shpifur i shërbimeve të dyshimta në krye të BFI-së, po krrekoset si një gjeldet që nuk po e sheh tek po i përgatitet kulaçi! Po flitet se Shaqir Fetai tashmë i paska paraqitur në polici nja 4-5 persona të cilët, pasi të neutralizohen nga “inspektorët e krimit” do të jenë problemi i fundit i tij për ta zgjatur “liderizmin” e vet deri në amshim!
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë shtrohet një pyetje shumë logjike: sa është shuma e korrupcionit? Sepse, është jashtë çdo logjike që policia dhe inspektorët e shtetit të angazhohen që ta ngulfasin fjalën e lirë, mendimin e lirë, iniciativat e lira qofshin këto edhe me përmbajtje për ta larguar Shaqir Fetain nga ai post që e ka uzurpuar po me ndihmën policore. Shaqir Fetai ka larguar nga puna dhjetra ish-funksionarë të BFI-së, ka krijuar me dhjetra armiq potencial që si opozitë të angazhohen për ta larguar atë gjeldet! Tani, me polici do ta mbrojmë Shaqir Fetain? Kujt i duhet ky farë bereqeti? Policisë së shtetit, apo myslimanëve të devotshëm?!
Mund të jetë edhe projekt i Shaqir Fetait që BFI-ja të trajtohet përjetë si “filiale besnike” e policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, sepse, vetëm kësisoj, ai, tashmë me nofkë udbashi, mund të jetë i sigurtë e i mbrojtur për ta përfunduar “misionin” e tij të djallëzuar!
Megjithatë, policia e shtetit nuk guxon të bie kaq poshtë! Urgjentisht duhet ta hulumtojë keqpërdorimin e pozitës zyrtare, vjedhjen dhe korrupcionin që po ndodhë aty kundrejt disa institucioneve shtetërore. Janë ngritur me dhjetra e dhjetra procese gjyqësore, të cilat po shtyhen me financa të krijuara nga fitri dhe zeqati i myslimanëve të vendit! Po shpenzohen qindra mijëra euro nëpër dyer të gjykatave e të zyreve të avokatëve të ndryshëm! Pse kjo gatishmëri kaq “xhentile” për të keqpërdorur paratë e popullit mysliman të vendit dhe të mos shprehet asnjë përpjekje më e vogël për t’i tejkaluar mosmarrëveshjet e brendshme përmes marrëveshjeve xhentile?! Këtu, në emër të “drejtësisë” po vidhet para e majme!
Sulejman Rexhepi dikur nuk pati asnjë armik të brendshëm. Të gjithë i pati miq për kokë të kresë! Bashkëpunëtorë e shërbëtorë të devotshëm! Më në fund, erdhi një ditë dhe pikërisht prej tyre e hëngër thikën pas shpine! Shaqir Fetai i priu këtij projekti fund e krye tradhëtie dhe, ja, si shpërblim për atë puç klasik, u shpërblye me instalimin e tij në krye të BFI-së. Pastaj i largoi të gjithë ata, sepse i vështronte si “kriminelë potencialë” që mund t’ia ngulin thikën pas shpine edhe Shaqir Fetait. Dhe ky sot ka me dhjetra armiq, persona që angazhohen në mënyrë opozitare për ta larguar këtë lojalistë të shërbimeve të dyshimta antikombëtare e antifetare. Shaqir Fetai duhet ta dijë që tashmë të keqes ia ka hapur shumë fort derën duke ia humbur edhe çelësin për ta mbyllur atë derë. Tani, nëpër atë derë do të ketë shumë lëvizje, hyrje-dalje, të cilat do ta çorientojnë Shaqir Fetain deri në çmendi totale! Duhet të jetë shumë i gatshëm që ta pranojë faktin: ashtu siç erdhi ashtu do të ikë! Policia e solli policia duhet ta përcjell atje ku e ka vendin, dhe jo t’i përndjek ata që interesohen për ta larguar këtë gllabërues të fitrit e të zeqatit! Përderisa angazhimi është shumë demokratik, publik dhe pa mjete dhune, asnjë institucion shtetëror nuk ka të drejtë të përzihet në organizimin e BFI-së nëse ai do të jetë sipas huqeve të Shaqir Fetait apo sipas platformës dhe programit reformues e stabilizues të Hafëz Afrim ef. Tahirit!
Shaqir Fetai duhet të kuptojë (nëse i ka thënë vetes sadopak hoxhë) se deri më sot është dëshmuar si intelektualisht shumë i paaftë, shpirtërisht shumë i dyshimtë dhe organizues katastrofal në drejtimin e BFI-së, prandaj, largimin e vet duhet ta kuptojë si proces normal dhe jo si frikë paranojake sa të kërkojë ndihmë edhe nga recidivistët e pushtetit të kaluar që mund ta gëlltisin edhe ndonjë dorë korrupcioni që padhimbshëm e zhvillon Shaqir Fetai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *